Për opozitën në Kosovë, kryeministri Albin Kurti me qëndrimet e tij po ndikon në prishjen e marrëdhënieve me ndërkombëtarët.
Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti thotë se raportet të krijuara me shumë mundime me aleatët po dëmtohen me një lehtësi nga qëndrimet apo veprimet e qeverisë.
Imri Ahmeti: Unë me këtë qasje, besoj se jemi duke e rrezikuar ende më shumë sepse sikur e marrim që të tjerët e kanë obligim ndaj nesh dhe ne nuk i shohim obligimet tona. Tendenca për të fajësuar të tjerët, pa kërkuar llogaridhënie brenda nesh, është një tendencë që vazhdimisht do të na dëmtojë.
Edhe sa i përket dialogut, Ahmeti thekson se luhatja e qëndrimeve të Kurtit dhe tejzgjatja e bisedimeve në Bruksel shkaktojnë situata acaruese ndaj të tjerëve dhe nuk i sjellin asnjë dobi Kosovës.
Imri Ahmeti: Polarizimet e brendshme në shoqërinë tonë dhe polarizimet në regjion e në nivel ndërkombëtar, janë si duket një ndër kartat që e mbajnë më së shumti në jetë këtë qeverisje.
Për LDK, pikërisht kjo skemë polarizuese do shkaktojë dëme serioze në raport me ndërkombëtarët, të cilat do të duhen kohë për t’u rikuperuar.
Tv Klan