Një Ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli Emergjencë Globale, Suedia konfirmoi rastin e parë të lisë së majmunit këtë të enjte.
Ky është edhe rasti i parë në Evropë dhe jashtë Afrikës. Personi i infektuar kishte ardhur nga Afrika, ku është regjistruar edhe shpërthimi më i madh i rasteve, tha në një konferencë për shtyp Olivia Wigzell, drejtore e përgjithshme në Agjencinë Suedeze të Shëndetit Publik.
Ministri i Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale në Suedi, Jakob Forssmed bën të ditur se ky ishte rasti më i rëndë i infeksionit, i quajtur “Clade I”.
Autoritetet shëndetësore bënë me dije se personi i infektuar kishte marrë kujdesin e duhur dhe udhëzimet në përputhje me rekomandimet e agjencisë shëndetësore.
Lia e majmunit transmetohet përmes kontaktit të ngushtë, si seksual, kontaktit me lëkurë dhe të folurit ose frymëmarrjes. Shkakton simptoma të ngjashme me gripin, acarim të lëkurës dhe mund të jetë fatale.
Lia e majmunit u regjistrua për herë të parë në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa ka pasur raste të konfirmuara në Burundi, Kenia dhe Ruanda, përpara se rasti i ri të identifikohej në Suedi. Deri më tani kanë humbur jetën 450 persona.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha se simptomat zakonisht shfaqen 6-13 ditë pas infektimit, përmes etheve dhe dhimbjeve të kokës, skuqjeve ose plagëve si dhe dhimbjeve të muskujve.
Klan News