Të paktën 10 persona humbën jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një kampus shkollash në qytetin e Orebro-s në Suedi. Policia thotë se mes viktimave është edhe autori i dyshuar. Paraprakisht mendohet se ai ka vepruar i vetëm, por deri më tani është i paqartë motivi i ngjarjes.

Sulmi me armë ndodhi në një shkollë për të rriturit, pavarësisht se siç raporton BBC, në zonë ka edhe shkollë për fëmijë. Nxënësit dhe stafi mësimor u mbajtën brenda ndërtesave pasi policia besonte se autori ishte në liri. Tashmë ata janë duke u evakuuar.

“Mendojmë se veproi vetëm. Hetimet janë në fazë paraprake. Ky është incident jashtëzakonisht tragjik”, tha shefi i policisë në Orebro-s, Roberto Eid Forest.

Shefi i policisë, Roberto Eid Forest

Autoritetet po punojnë për të identifikuar viktimat, numri i të cilëve mendohet të jetë 10 persona, por as policia nuk është e sigurt për shifrat e sakta.

Gjithashtu nga policia raportohet se 6 persona janë dërguar në spital. 5 prej tyre kanë plagë të shkaktuara nga armët.

4 nga të plagosurit i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale ndërsa të plagosurit e tjerë thuhet se kanë lëndime të lehta. Nga ngjarja nuk raportohet për fëmijë të plagosur.

Në lidhje me këtë tragjedi ka reaguar edhe kryeministri suedez Ulf Kristersson, i cili tha se dita e sotme “është e dhimbshme për të gjithë Suedinë”.

“Mendimet e mia janë për ata që janë prekur nga ngjarja dhe të afërmit e tyre. Mendimet e mia janë edhe me ata dita normale e shkollës e të cilëve u zëvendësua me terror”, tha kryeministri.

Ai u shpreh se hetimet për rastin vijojnë duke u përpjekur që të zbulojnë çfarë fshihet nga pas./tvklan.al

Kryeministri i Suedisë