Udhëheqës nga e gjithë bota përgëzuan Donald Trump për fitoren e zgjedhjeve presidenciale. Ndër të parët që uroi ishte kryeministri britanik Keir Starmer pak pasi kandidati republikan shpalli fitoren.
Keir Starmer: Mezi pres të punoj me ju në vitet në vijim. Si aleatët më të afërt, ne qëndrojmë krah për krah në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe sipërmarrjes. Nga rritja dhe siguria te inovacioni dhe teknologjia, e di se marrëdhënia speciale MB-SHBA do të vazhdojë të përparojë në të dy anët e Atlantikut për vitet në vijim.
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-S Mark Rutte uroi Trumpin i cili ka qenë kritik ndaj aleancës së NATO-s, duke akuzuar aleatët e saj evropianë se nuk paguajnë mjaftueshëm për sigurinë.
Mark Rutte: Sapo përgëzova Donald Trump për zgjedhjen e tij si President i Shteteve të Bashkuara. Udhëheqja e tij do të jetë përsëri çelësi për të mbajtur të fortë Aleancën tonë.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen uroi Trump duke shtuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë më shumë se thjesht aleatë.
Ursula von der Leyen: Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë mes njerëzve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Pra, le të punojmë së bashku për një agjendë të fortë transatlantike.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i cili ka patur një marrëdhënie të vështirë me presidentin Joe Biden uroi Trump për suksesin e korrur në këto zgjedhje.
Benjamin Netanyahu: Rikthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë mundëson një fillim të ri për Amerikën dhe një përkushtim të ri të madh për aleancën e mrekullueshme mes Izraelit dhe Amerikës. Kjo është fitore e madhe.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e cilësoi fitoren e Trump rikthimin më të madh në historinë politike amerikane dhe u shpreh se fitorja e tij është e nevojshme për botën. Edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte në të njëtën linjë duke e cilësuar një fitore mbresëlënëse.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha në urimin e saj për Trump se Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një “aleancë të palëkundur”.”Ështënjë lidhje strategjike, të cilën jam e sigurt se tani do ta forcojmë edhe më tej”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
Nga ana tjetër kancelari gjerman, shkroi se Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku me sukses për një kohë të gjatë për të nxitur përparimin dhe lirinë në të dyja anët e Atlantikut. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të mirën e qytetarëve tanë.
Zgjedhja e presidenti të ri nuk është vetëm e rëndësishme për vetë SHBA, por edhe botës pasi udhëheqësi i ri mund të transformojë politikën e jashtme të vendit dhe pozicionin e tij ndaj vendeve aleate dhe armiqëve.
Klan News