“Politika e jashtme, peng e vendimeve populiste”
Opozita në Kosovë akuzon qeverinë “Kurti” se me sjelljet e saja të muajve të fundit e ka vendosur vendin në një raport të tensionuar me partnerët ndërkombëtar.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj sjell në vëmendje se si pasojë e këtyre veprimeve Kosova ka humbur mbështetjen ndërkombëtare edhe për anëtarësimin në organizata të rëndësishme siç është edhe Këshilli i Europës.
“Në vazhdimësi kemi pasur skandale, veprime të cilat shpesh i kemi befasuar miqtë tanë, dhe ata që ishin të interesuar me na ndihmuar. Kishte hapa konkret për me na ndihmuar drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por veprimet e qeverisjes sonë, i ndalen edhe ato zëra mbështetës për ta anëtarësuar Kosovën në Këshill të Evropës”, tha Limaj.
Limaj thekson gjithashtu se diplomacia kosovare është larg sigurimit të njohjeve të reja, ndërsa kritika ka edhe për mënyrën e të funksionuarit nga disa ambasada nëpër vendet evropiane.
“Shikoni sot cila diplomaci e Kosovës më thoni një veprim që ka bërë diplomacia kosovare? Ne sot e kemi ambasadën pa një orientim politik. Cili është roli i tyre”, tha Limaj.
Kryetari Nismës socialdemokrate nënvizon se kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së një vizioni të qartë në politikën e jashtme dhe disa vendimeve populiste të qeverisë.
Tv Klan