Programi i sotëm në këtë fillim Dhjetori në emisionin “Rudina” në Tv Klan i dedikohet figurës të së madhes, Nënë Tereza dhe pikërisht një libri që i është kushtuar asaj.

Këtë libër e ka shkruar ish-zonja e parë e Shqipërisë, Liri Berisha, e cila ka qenë sot e ftuar në emision për të folur për këtë libër, ku dhe i ka përmbledhur të gjitha kujtimet.

Berisha ka treguar se e ka njohur Nënë Terezën në moshën 15-vjeçare në një kohë që nuk dinte çfarë shkruanin gazetat e huaja për të, ndërkohë që në Shqipëri nuk flitej asgjë.

Liri Berisha: E kam njohur Nënë Terezën në moshën 15-vjeçare, në një kohë kur nuk dija se çfarë shkruanin gazetat e huaja për të, kur në Shqipëri nuk flitej asnjë fjalë, nuk e njihte askush. Në thellësinë time, më çonte emri i saj tek familja dhe origjina e saj, për të cilën kisha dëgjuar të flitej me shumë nderim për atë familje. Pastaj në rrugën e Kavajës ka qenë një shtëpi ku banonte motra dhe nëna e Nënë Terezës. Ne shkonim shpesh atje, aty kam njohur nënën dhe motrën e saj dhe më bënte shumë përshtypje si në familjen tonë diskutohej për ato zonjat me një lloj nderimi dhe keqardhjeje.

Një ditë, kur e pyeta mamin, kush janë ato dy gra, ajo më tha që nuk janë gra, por zonja. Atë kohë ishte e ndaluar fjala zonjë, ishte shoqe e lejuar. Pastaj më tregoi historinë e familjes së saj, për Nënë Terezën dhe si i ishte përkushtuar një misioni në Indi./tvklan.al