Ora 19:07 – Rama: 2 kufoma politike fajësojnë njëra-tjetrën se kush është shërbëtori im…

Kryeministri Edi Rama komentoi sërish ngjarjet e fundit në Partinë Demokratike. Këtë herë më i drejtpërdrejtë, Kryeministri thotë se kur shikon dy kufoma politike sesi fajësojnë njëra-tjetrën se kush është shërbëtori tij ka një thirrje për demokratët.

“Kur shoh këto dy kufoma politike që luajnë kështjellash në mes të Tiranës dhe fajësojnë njëra-tjetrën se kush është shërbëtori im, më vjen t’u lëshoj demokratëve një kushtrim të me gjithë zemër: Ejani t’i japim ç’mundemi Shqipërisë, të bashkuar si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz!

Lërini në fatet e parashkruara humbësin kronik të selisë blu dhe personazhin pa seli të listës së zezë, të cilët të kujtojnë të dy fjalët e Xhokerit, “S’kam asgjë për të humbur. Asgjë s’më dhemb dot më. Tashmë jeta ime është thjesht një komedi”! Sa u shkon ai llafi… Varu teneqet!”, shkruajti Rama në një postim në Twitter.

Ora 19:02 – Basha: Nuk kam kërkuar ndërhyrjen e policisë

Lulzim Basha mohoi që ai personalisht të kishte kërkuar këtë të shtunë ndërhyrjen e policisë në kohën kur situata në protestën para selisë blu, u përshkallëzua. Megjithatë, Basha ripërsëriti se vonesa e policisë për të ndërhyrë ishte si pasojë e planit të Sali Berishës dhe Edi Ramës, për të uzurpuar Partinë Demokratike.

“Unë personalisht nuk kam kërkuar për asnjë çast ndërhyrjen e policisë. Pyetja që ju duhet të shtroni është pse policia nuk reagoi kur nisi dhuna siç e ka në ligj. Përgjigjen jua them unë, sepse vëllezërit siamezë ishin bashkë për të uzurpuar PD e mundësisht për të shkaktuar gjak demokratësh”.

Ora 19:01 – Ndërhyrja e policisë në selinë e PD, Berisha: Ishte skemë, Bashës iu kërkua që…

Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se ndërhyrja e policisë në selinë e Partisë Demokratike është bërë me skemë.

Në një konferencë shtypi pasditen e së shtunës, Berisha tha se policia kërkoi që Lulzim Basha të bënte publike kërkesën për ndërhyrjen e uniformave blu në selinë e PD-së.

Lidhur me faktin se narkopolicia pas telefonatës që mori nga kreu i meduzës Edi Rama që të ndërhynte me kërkesë të Lulzim bravës, ajo kërkoi që Lulzim brava kërkesën ta bëjë vetë publike. Dhe ai e bëri kërkesën publike. Dhe vetëm pasi u bë kërkesa publike, ishte skemë kjo, policia ndërhyri shtazërisht kundër protestuesve”, tha Sali Berisha.

Pas ndërhyrjes së policisë në selinë e PD, protestuesit dhe mbështetësit e Sali Berishës u larguan për shkak të gazit lotësjellës.

Ora 18:49 – Basha: Nuk ka pasur gaz lotsjellës nga PD. Nuk kam parë persona me hunj në duar

Lulzim Basha mohon që nga selia blu të jetë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve këtë të shtunë. I pyetur nga gazetarët për deklaratën e policisë, se gazi lotsjellës nuk ishte hedhur nga kjo e fundit, Basha e quajti këtë deklaratë kriminale. Të njëjtë quajti edhe vonesën sipas tij, për të ndërhyrë në selinë e PD.

“ Nga Partia Demokratike nuk ka pasur gaz lotsjellës… Janë bombula zjarrfikësesh. Deklaratat e policisë është kriminale. I pari mos reagimi për një orë e gjysmë dhe e dyta shpifja që i parapriu që PD ka përdorur gaz lotsjellës”.

Sa i përket dhunës së ushtruar ndaj protestuesve nga dritaret e selisë blu, ai e mohoi edhe këtë dhe tha se ata që sulmuan PD nuk kanë lidhje me demokratët.

“Shikojini mirë pamjet se ai personi që keni treguar sikur është dhunuar nga PD e kanë dhunuar shokët e tij me gurë. Të gjitha pamjet filmike janë në dispozicion të policisë…”

Ora 18:40 – Sali Berisha: E gjithë Shqipëria do të jetë në protestë, sot u pa opozita e vërtetë

Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se protestat do të vazhdojnë. Pas protestës së sotme në selinë blu, Berisha doli në një konferencë shtypi dhe deklaroi se vlerëson vendosmërinë e protestuesve dhe theksoi se shumë shpejt do të njoftohet protesta e radhës.

“Pasi dështoi për të mbajtur selinë me vrasës, trafikantë, thirri dhe që i kishte pajisur me gaze, helme dhe mjete të tjera, mjete primitive nga huri te zjarri, thirri sipas skenarit të parapërgatitur narkobanditë me uniformë, narkopolicinë, duke ndërmarrë një reprezalje, dhunë dhe terror policor të paparë ndonjëherë ndaj demokratëve në protestën e tyre paqësore.

Sot u faktua përfundimisht se Lulzim brava ka një aleancë krimi, gazi, dhune ndaj demokratëve dhe PD me Edi Ramën, pengmarrësin e tij. E vërteta është se protesta madhështore e demokratëve siç ishit dëshmitarë, ishte tërësisht paqësore.

Vetëkuptohet kjo protestë kishte detyrë të hapte dyert e bliundura të mbyllura nga Edi Rama me pengun e tij Lulzim Basha. Në fakt protesta dyert i hapi. Nderim të madh të gjithë atyre protestuesve që me guxim, vendosmëri dhe gjakftohtësi çanë blindet e Edi Ramës dhe peng Bashës pa gërvishtur qoftë dhe një person të vetëm. Por natyrisht sasitë e mëdha të gazit që u përdorën të cilat tejkalonin çdo lloj limit, ka patur ndër të tjerë kolegë tuajt, fotografë të shquar, të cilët nga sasitë dhe toksiteti i gazit pothuajse po humbisnin ndjenjat dhe më shumë. Banditët e Edi Ramës u panë duke qëlluar me të gjitha mjetet mbi demonstruesit. Janë të plagosur dhe kanë kaluar nëpër spitale 12 demonstrues.

Janë të ndaluar pa asnjë motiv të rinj të kapur në rrugë për fajin e vetëm se kanë marrë pjesë në protestë rreth 41 protestues. Pavarësisht nga këto veprime të një tradhtari të vërtetë që sot nxorri më shëmtuar se kurrë fytyrën e tij para shqiptarëve, të Lulzim Bashës në koordinim me Edi Ramën, ajo çka më ka impresionuar më shumë është vendosmëria totale absolute e protestuesve për të qëndruar të pamposhtur. Ata sot kanë vetëm një pyetje, kur do kthehemi përsëri. Unë i garantoj se Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD do t’u japë atyre përgjigje në kohën më të shpejtë.

Ne nuk jemi në betejë për një zyrë, ne jemi në betejë kundër një përpjekje armiqësore të hapur të Edi Ramës për të asgjësuar pluralizmin politik në Shqipëri. Pra ne jemi në një mision të një rëndësie të jashtëzakonshme.  Sot pas 9 vitesh, shqiptarët panë se kanë më në fund një opozitë të vërtetë të tyre, një opozitë e cila është e gatshme të përballet dhëmbë për dhëmbë dhe tani ky regjim ka arritur deri në shkallë sa të emërojë dhe opozitën që do. De facto sot Lulzim Basha zëvdenësoi Çuçin e familjen, u bë si ministër i Brendshëm i Edi Ramës në qëndrimin ndaj demokratëve.

Atyre që kanë ushtruar dhunë u them, keni kryer një krim të shëmtuar sepse kjo opozitë nuk mund të mposhtet dhe nuk mposhtet. Është e vendosur pavarësisht nga mjetet që do përdornin të përdorë të gjithë fuqinë e saj për çmontimin e narkoshtetit. Shqipëria e tërë, me një skenar të caktuar, do të jetë në protestë dhe vetëm protestë”, deklaroi Sali Berisha.

Ora 18:30 – Basha: Organizata kriminale e Berishës dështoi të uzurponte me mjete terroriste PD-në

Lulzim Basha tha se Sali Berisha me atë që ai e quajti organizata e tij kriminale dështuan në tentativën për të uzurpuar Partinë Demokratike, me mjete terroriste.

“Dua të falënderoj nga zemra të gjithë të pranishmit këtu dhe qindra të tjerë, që me një përkushtim heroik bënë të pamundur objektivin e parë, nënshtrimin e shtëpisë së lirisë, nënshtrimin e selisë së demokratëve ndaj organizatës kriminale të Sali Berishës, e cila me mjete terroriste, u përpoq të realizonte sot uzurpimin me dhunë të selisë të demokratëve për t’u mbrojtur nga shpallja non grata për korrupsion domethënës dhe minim të demokracisë nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dua t’i falënderoj po kështu sepse në orë kritike, pamundësuan edhe objektivin tjetër të Sali Berishës, daljen sot me viktima, derdhjen e gjakut të demokratëve për hallet e Sali Berishës. Dua t’u them të gjithëve se në një ditë si kjo, padiskutim Sali Berisha i ka bërë kësaj partie dëmin më të madh, ndonëse në këto 30 vite jo të vetmit, por po kështu i ka dhënë demokratëve mundësinë më të madhe për t’u shkëputur një herë e mirë nga trashëgimnia e tij. Nuk ishin 44 mijë demokratë, por një grusht njerëzish të cilët e panë se kishin ardhur ëpr t’u përdorur si mish për top, për hallet e Sali Berishës. Dua t’u them fare qartë se sot Sali Berisha ka kryer punë me Partinë Demokratike dhe me demokratët. Se është rikthyer në shtratin në të cilin buroi, të bolshevizmit, të dhunës, të mashtrimeve, të propagandës dhe si i till nuk përfaqëso më më të keqen e kësaj partie, por përfaqëson atë që kjo parti e ka lënë pas sot e tutje”.

Basha komentoi edhe ndërhyrjen e policisë.

Pa diskutim, punonjësit e policisë të cilët u angazhuan për të rikthyer rendin dhe rregullin meritojnë përgëzim, por drejtuesit e tyre treguan se janë vegla dhe instrumente politike të partisë shtet. Me urdhër të Edi Ramës, ata pritën 1 orë e gjysëm pas lëshimit të deklaratave nga kancelaritë perëndimore, nga ambasadat perëndimore. U përdorën si një instrument politik, ndryshe nga ç’akuzojnë mediat e kapura dhe anlistët e paguar nga Sali Berisha dhe oligarkët e tij. Jo sepse kështu thotë ligji. Të kundërtën thotë ligji. Çfarë po ndodhte këtu ishte në sytë jo vetëm të shqiptarëve, por për fat të keq të të gjithë botës. Por nukishte në sytë e drejtuesve të policisë, sepse në veshë të tyre ushtonin urdhërat e Edi Ramës, vëllaut siamez të Sali Berishës, për të lejuar të shkonte deri në fund skenari ogurzi i zaptimit të Partisë Demokratike, institucionit të vetëm të opozitës dhe të shpresës për shqiptarët”.

Ora 18:21 – Basha: Sot dita e fundit politike e Sali Berishës, ndarje përfundimtare nga berishizmi

Në një deklaratë nga selia blu, Lulzim Basha tha se Sali Berisha u braktis sot nga demokratët dhe se sot ka pasur ditën e tij të fundit politike në Shqipëri. Basha tha se asnjë prej objektivave të vendosura nga ish-Kryeministri nuk u realizuan.

“Zhvillime tragjike për demokratët dhe të shpreh keqardhje që prania juaj në selinë e PD u vonua për më shumë se 4 orë me shkakun e kryerjes së veprimeve hetimore.

Dita e sotme ishte paralajmëruar si një ditë dhune mes demokratësh nga Sali Berisha. Ishte paralajmëruar si dita e pushtimit me forcë e selisë së demokratëve, ishte paralajmëruar si dita për të kurorëzuar aksionin e tij personal.

Sikundër e kemi thënë, ajo që nisi me pretekstin e një lëvizje demokratizuese e tregoi sot fare mirë fytyën e saj.

Beteja e Sali Berishës nuk bëhet për askënd tjetër përveç se për atë vetë dhe se ai nuk kursen askënd.

Lajmi i parë i mirë është braktisja totale, dëshpërimi për të cilën nuk ka nevojë ta komentoj. Për fat të mirë objektivat që i kishte vënë vetes nuk u realizuan.

Për fat tëq keq u përballëm jo thjesht me një përpjekje për ç’organizim, por me një përpjekje për të shkatërruar PD ndaj interesave personale të Sali Berishës. Dua të falenderoj edhe ata të cilët për disa javë apo muaj e ndoqën Sali Berishën të dëshpëruar nga masakra zgjedhore, sot të gjithë e dinë, kundërshtarët e mi, dua t’i falenderoj të gjithë që e kuptuan sot planin e vërtetë të Sali Berishës, fytyrën e tij të vërtetë që e tregon kjo seli e dhunuar.

Ajo që ka ndodhur është edhe më e qartë kur shikon se ata 500 apo 600 njerëz që erdhën, protagonist në fakt ishte një grup i ngushtë kriminelë, të armatosur të përgatitur për të dhunuar shtëpinë e demokratëve duke vënë në rrezik jetët e demokratëve me një plan të mirëmenduar dhe të ekzekutuar e frymëzuar nga Sali Berisha. Në një ditë tragjike si kjo ka edhe një dimension historik. Është dimensioni i ndarjes përfundimtare me Sali Berishën dhe berishizmin, që nuk pranon argumentin ndryshe, nuk pranon rregulllat e partisë, por vazhdon avazin e vjetër, vetë voton, vetë numëron, vetë shpall rezultet imagjinare”, tha Lulzim Basha. 

Ora 18:05 – Mediat brenda selisë së PD, pamjet e para pas protestës

Menjëherë pas largimit të policisë dhe prokurorisë Lulzim Basha hapi dyer për kamerat dhe gazetarët. Të udhëhequr nga ai, kreu i PD u bëri një tur në seli duke treguar edhe pasojat nga protesta e kësaj të shtune.

Pas kësaj Lulzim Basha pritet që të ketë edhe deklaratë për mediat. Edhe Komisioni i Rithemelimit ka paralajmëruar deklaratë për mediat.

Protesta e thirrur nga ish-kryeministri Berisha për largimin e Lulzim Bashës zgjati më shumë se dy orë dhe pati momente tensioni. Demokratët në protestë tentuan të hapin dyert e blinduara të Partisë Demokratike, por mbështetës të kryetarit Basha, që ishin brenda në seli, përdorën solucione të ndryshme dhe goditën me mjete të forta një grup protestuesish.

***ZHVILLIMET NGA PROTESTA E PD DERI NË ORËN 18:00

Ora 16:54 – Protesta në PD, ministri Manja: Sfida më e komplikuar për policinë, ngjarja e sotme e padëgjuar në planet

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e konsideron protestën që u zhvillua në selinë e Partisë Demokratike mes mbështetësve të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës një ngjarje të paprecedent në historinë politike botërore.

Në një reagim në Facebook, Manja thotë se Policia e Shtetit ka patur sfidën më të komplikuar në demokraci, duke theksuar se e përballoi me profesionalizëm.

“Sot ka qenë ndoshta sfida më e komplikuar për një Polici Shteti në demokraci, sepse kjo e sotmja është një ngjarje e padëgjuar në historinë politike të planetit. S’ka bërë vaki në botë që një parti politike të kthehet në një arenë lufte me mjete mesjetare, mes dy palësh të ekstremizuara në skaje të papara ndonjëherë.

Policia e Shtetit e ka kaluar me dinjitet të lartë profesional këtë sprovë përballë papërgjegjshmërisë më absurde të të dyja palëve të përfshira në konflikt. Tani që më e keqja ka kaluar më së miri, prokuroria dhe policia duhen mbështetur pa rezervë në kryerjen e detyrës së nxjerrjes para ligjit të përgjegjësve të asaj skene krimi jashtë dhe brenda godinës së këtij ballafaqimi mesjetar. I bëjmë thirrje palëve të vetëpërmbahen dhe të mos pengojnë me veprime ose mosveprime të qëllimshme, organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën”. 

Ora 16:35 – Ministri Çuçi: Keqardhje për komentatorët politikë që baltosin punën e policisë

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar pas akuzave të bëra ndaj Policisë së Shtetit, duke thënë se uniformat blu u sollën në mënyrë profesionale.

Çuçi thotë se protesta e zhvilluar në PD është një nga situatat më të ndërlikuara në historinë e pluralizmit.

“Keqardhje e thellë për komentatorët politike dhe publikë që baltosin Policinë e Shtetit, në një prej ditëve më të mira të saj përballë një ndër situatave më të ndërlikuara në historinë e pluralizmit. E drejtë, e paanshme, e përgatitur dhe profesionale Policia e Shtetit do të bëjë deri në fund punën e saj. Tanimë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, jashtë dhe brenda godinës së turpit të sotëm kombëtar”, shprehet ministri Çuçi.

Ora 15:40 – Protesta te PD, ministri Çuçi: Policia tregoi sjellje profesionale, aktet e dhunës nuk do tolerohen

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar pas protestës së mbështetësve të Sali Berishës në selinë e Partisë Demokratike.

Në një reagim, ministri Çuçi thotë se policia veproi me profesionalizëm, por theksoi se aktet e dhunës nuk do të tolerohen.

“Policia e Shtetit tregoi edhe njëherë sot një sjellje profesionale në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Dëshmoi gjithashtu se është një trupë e depolitizuar dhe tërësisht e angazhuar për të siguruar jetën dhe pronën e qytetarëve. Protestat paqësore janë themelore në demokraci, por aktet e dhunës dhe tentativat për të cënuar rendin publik nuk do të tolerohen. Policia e Shtetit është e vendosur për të vijuar punën dhe misionin që i ngarkon ligji. Përgëzime@PoliciaeShtetit”, thotë ministri Çuçi.

Ora 15:07 – Bardhi kërkon të fusë mediat brenda selisë së PD, policia nuk i lejon

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi nga policia që të lejojë mediat të hyjnë brenda selisë së PD.

Kjo pas ftesës që ka bërë Lulzim Basha për gazetarët, të cilëve u ka kërkuar që të shkojnë në zyrën e tij pas përfundimit të protestës së mbështetësve të Sali Berishës.

Por ndërkohë selia e PD është “skenë krimi” dhe aty po bëhen hetime nga policia dhe Prokuroria e Tiranës.

Bardhi ka kërkuar nga efektivët që të lejojnë kamerat dhe gazetarët, por policia ka deklaruar se hyrja e medias do të lejohet pas disa minutash pasi të jetë bërë fotografimi i vendngjarjes.

“Ju lutem përfaqësuesve të policisë të më hapin rrugën të fus mediat në selinë qendrore të partisë. Edi Rama nuk i fsheh dot gjurmët e krimit të Sali Berishës në godinën e demokratëve. Nuk ka polici shteti që mund të fshehë me urdhër të Edi Ramës krimin që ka bërë sot Sali Berisha në selinë qendrore të Partisë Demokratike. 37 deputetë të grupit parlamentar të PD, do japin deklaratë për mediat në zyrën e tyre. Nuk i pengoni dot. Media të bëjnë transparencë për krimet që ka kryer sot Sali Berisha në godinën e demokratëve. Ju lutem hapni rrugën të futen përfaqësuesit e medias. Nuk marr urdhër nga prokurorja unë për të futur median në zyrën time. Hapni rrugën për përfaqësuesit e medias që të shikojnë krimin e paprecedentë që ka kryer Sali Berisha në godinën e demokratëve duke rrezikuar jetën e mijëra demokratëve që ishin brenda selisë qendrore të PD. a ka mundësi që mediat të filmojnë krimin që ka kryer Sali Berisha sot?”, tha Bardhi.

Ora 14:51 – Kryeministri Rama pas protestës në PD: Jetë e vështirë, por budallenjtë e vështirësojnë më shumë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas mbylljes së protestës nga ana e mbështetësve të Sali Berishës.

Rama ka zgjedhur të reagojë me thënien e aktorit amerikan John Ëayne.

“Jeta është e vështirë, por budallenjtë e vështirësojnë atë edhe më shumë”, ka shkruar në Instagram Kryeministri Edi Rama. 

Ora 14:44 – Sali Berisha: Rruga që kemi për të bërë jo e lehtë, kalon përmes sakrificave

Sali Berisha ka folur për herë të fundit për mediat në rrugicën përpara banesës së tij, duke njoftuar mbylljen e protestës për ditën e sotme.

Ish-Kryeministri deklaroi se rruga që kanë për të vazhduar nuk është e lehtë dhe do të kalojë përmes sakrificave.

Të dëshojmë organizimin tonë, vendosmërinë tonë dhe të dëshojmë para mbarë shqiptarëve dhe botës se armiku më i egër pas Enver Hoxhës është Edvin Kristaq Rama dhe pengu i tij Lulzim Basha. Ju e patë vetë se si shpalosi Edi Rama skenarin e tij kundër pluralizmit politik në Shqipëri dhe Partisë Demokratike. Sot gjithçka doli e qartë si në dritën e diellit por kjo betejën tregon për të gjithë ne njerëzit e lirë se rruga e që kemi për të bërë nuk është një rrugë e lehtë. Se ajo kalon përmes sakrificave, se ajo kalon përmes një vendosmërie, por ju garantoj që është një rrugë e suksesshme dhe fitimtare.

Sot ne dëshmuam se jemi opozita e vërtetë e këtij vendi. Prej kohësh unë ju kam deklaruar se ky është një revolucion i pandalshëm, ky ndalet vetëm me përmbysjen e narkoshtetit, synon rikthimin në pushtet nëpërmjet votës së lirë të Partisë Demokratike. Në 3 muaj kohë ne rikthyem votën e lirë, në zemrat tona, në komunitetin tonë, në Partinë Demokratike. Tani mendojnë se mund të mbyllë në bunker Edi Rama me Lul bravën. Kurrë! Ndaj dhe le të shpërndahemi me betimin për t’u kthyer sa më parë në betejën tjetër edhe më të fuqishme se kjo”, u shpreh Sali Berisha.

Ora 14:21 – Mbyllet protesta e thirrur nga Berisha: Beteja do të vazhdojë

Ish-Kryeministri Sali Berisha njoftoi përfundimin e protestës së thirrur prej tij ditën e sotme kundër Lulzim Bashës.

Basha u bëri thirrje protestuesve që të shpërndahen, ndërsa bëri me dije se protesta nuk do të mbarojë deri në arritjen e qëllimit. Ish-Kryeministri u shpreh se beteja e radhës do të njoftohet përsëri.

“Kjo protestë u faktoi shqiptarëve fytyrën e vërtetë të regjimit të sotëm, u faktoi në mënyrë përfundimtare se Edi Rama mban peng Lul bravën dhe së bashku me të me dhunë dhe terror shtëpinë e PD. Ky përbën një akt të pashembullt në 30 vite. Përpjekjet për të shndërruar në shtëpi lirie do vazhdojnë gjer në arritjen e plotë të qëllimit. Sot ne do shpërndahemi, do të kujdesemi për vëllezërit tanë, motrat tona të arrestuar, sepse jaën vërsulur si bisha ndaj tyre për të mbushur komisariat. Do kujdesemi për të plagosurit të cilët janë goditur me çarje koke. Do njoftojmë shumë shpejt betejën tjetër që nuk ndalen kurrë gjer në fitoren tonë të plotë. Kemi përballë një narkoshtet. Ndaj dhe ju ftoj ta mbyllim këtë protestë sot këtu për ta vazhduar në mënyrën më absolute në forma edhe më të fuqishme se kjo që bëmë sot”.

Ora 14:15 – Berisha: Protesta nuk ndalet kurrë, ne u dhunuam nga të gjitha anët

Ish-Kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij qëndrojnë në anën tjetër të rrugës pranë selisë së PD.

Duke folur për gazetarët, Berisha tha se protesta nuk do të ndalet deri sa të realizojë qëllimet.

Berisha deklaroi se ndaj tyre është ushtruar dhunë.

“Nuk është ky përfundimi i protestës. Ne jemi këtu. Kjo protestë nuk ndalet kurrë deri në realizimin e protestës. Selia është shndërruar në një bunker të shtetit. Ne e konsiderojmë shtëpinë tonë. Ajo nuk është shtëpia e Edi Ramës. Ne jemi kundër dhunës, ne nuk përdorëm dhunë, ne u dhunuam nga të gjitha anët dhe ajo është gabim i rëndë, është krim. Për të hyrë në shtëpi të vetë s’mund të mbyllësh derën. Njerëzit do futen në shtëpi dhe kjo do ndodhë. Ajo nuk është vila private e Lulzim Bashës, ajo është shtëpia e demokratëve”, u shpreh Sali Berisha. 

Ora 13:59 – Drejtuesja e Prokurorisë Tiranë, Elisebeta Imeraj në oborrin e selisë së PD

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj ka shkuar në oborrin e selisë së Partisë Demokratike. Godina e PD është rrethuar me shiritin e verdhë skenë krimi dhe konsiderohet vendngjarje. Grupi hetimor i policisë nën drejtimin e Prokurorisë Tiranë po kryhen hetime.

Ora 13:54 – Protestuesit tentojnë të afrohen te selia e PD, policia hedh gaz lotësjellës

Ora 13:51 – Drejtori i Policisë Tiranë: Selia e PD konsiderohet vendngjarje, kush përdor akte dhune do mbajë përgjegjësi

Drejtori i Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika, në një komunikim të shkurtër për gazetarët, tha se aktualisht oborri dhe selia e Partisë Demokratike janë “skenë krimi” dhe do të kryhen të gjitha veprimet procedurale.

Sipas tij, kushdo që ka përdorur akte dhune do të përgjigjen para ligjit.

Oborri dhe selia e Partisë Demokratike konsiderohet vendngjarje. Dhe Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës do kryejmë veprime procedurale në bazë të kodit të procedurës. Të gjithë ata që kanë përdorur akte dhune do mbajnë përgjegjësi para ligjit. Një punonjës policie dhe një qytetar për momentin janë të lënduar lehtë”, u shpreh Panganika. /tvklan.al

Ora 13:46- Berisha: Kjo që patë sot, vetëm faqja e parë e qëndresës

Ish-Kryeministri Sali Berisha, tha për mediat se protesta e kësaj të shtune është vetëm faqja e parë e qëndresës.

Berisha tha ndër të tjera se Basha u mbrojt me metoda banditeske.

“Narkoqeveria dhe narkoopozita janë e njëjta gjë. Opozita e vërtetë është kjo që shihni ju, vigane në këmbë, e cila u paraqit në protestë paqësore dhe u përball me mjetet më të egra të dhunës. Unë garantoj shqiptarët se jemi dhe do të mbetemi të pamposhtur në vlerat që ne vesojmë dhe mbrojmë. Ky ishte një skenar i përgatitur me kujdes gjatë gjithë këtyre ditëve. Nuk kishte njeri dhe nuk ka asnjë problem me asnjë deputet të PD-së përveç me pengun e Edi Ramës që quhet Lul Brava. Në këtë kontekst kjo është një lëvizje e pandalshme. Është një betejë që nuk do të ketë të sosur. Ju garantoj që kjo që patë sot është vetëm faqja e parë e saj. Këta janë shqiptarët e lirisë. Ata që mendojnë se do u mbahen pengje dhe kukulla për të shtypur vullnetin e tyre gabohen rëndë. Janë populli i referendumit të lirisë. Janë qytetarët të cilët rikthyen në PD votën e lirë. Asgjë s’pengon ortekun e tyre. Sot, shqiptarët dhe bota panë fytyrën e vërtetë të Lul Pengut, i cili u mbrojt me metodat më banditeske, u mbrojt me të gjithë egërsinë e narkobanditëve të Edi Ramës. Miqtë e mi, një mirënjohje të pakufijshme ndaj këtyre dhjetëra mijëra qytetarëve që sot bënë historinë me protestën e tyre. Ju garantoj se kjo është vetëm faqja e parë e ndritur e qëndresës së burrave dhe grave, djemve dhe vajzave për liri, dinjitet njerëzor, por edhe shoqëror. Shoqëria shqiptare meriton votën e lirë. Shoqëria shqiptare do të çlirohet nga këta qytetarë të lirë. Ju ftoj të vazhdojmë marshimin tonë pa u përkulur. Përdori sot të gjitha mjetet kreu i Meduzës”. 

Ora 13:41 – Fotolajm/ Selia e PD “skenë krimi”, çfarë ka mbetur në godinë pas largimit të protestuesve

Selia e Partisë Demokratike është rrethuar nga policia me shirin e verdhë skenë krimi. Pas largimit të protestuesve, godina e PD-së është marrë në dorëzim nga forcat e policisë.

Dyert dhe xhamat e katit të parë duken të thyera pas tentativës së protestuesve për të hyrë brenda selisë.

Ndërsa nga brenda godinës, saktësisht nga kati i dytë ku ndodhet Lulzim Basha dhe deputetët demokratë që mbështesin atë, u hodhën gure, sende të forta dhe gaz lotësjellës ndaj protestuesve që ndodheshin në oborr.

Policia lajmëroi se ndërhyri duke shpërndarë protestuesit pas kërkesës së deputetëve që ndodheshin në katin e dytë të godinës së PD.

Ora 13:29 – Berisha: Asgjë nuk na ndal në realizimin e qëllimeve tona

Sali Berisha ka folur për mediat pasi policia ndërhyri në selinë e Partisë Demokratike. Berisha tha se opozita do të vazhdojë betejën deri në realizimin e qëllimit.

“Ky ishte skenar i paralajmëruar që dje nga policia. Opozita vazhdon betejën gjer në fitoren e saj të plotë. Asnjë gjë nuk mund të na ndalë ne për realizimin e qëllimeve tona. Lulzim Brava tregoi fytyrën e tij. Protesta do vazhdojë deri në realizimin e qëllimeve. Do të vazhdojë deri në realizimin e qëllimeve. Qëllimi i protestës do realizohet sot, por ju e shihni barbarinë e vërtetë ndaj protestuesve nga policia e Edi Ramës”, tha Berisha.

Ish-kryeministri u pyet nga gazetarët edhe për gjendjen shëndetësore ku tha se “Gjendja ime shëndetësore është e shkëlqyer”. Pas kësaj, lideri historik i demokratëve u largua nga ambientet e selisë.

Ish-Kryeministri, por edhe protestuesit e tjerë mbanin maska antigaz. Kjo për shkak të sasisë së madhe të gazit lotsjellës që u hodh ndaj protestuesve në seli. 

Ora 13:18 – Momenti kur ndërhyn policia dhe merr nën kontroll selinë e PD

Këto janë pamjet kur forcat e policisë kanë ndërhyrë në oborrin e selisë së Partisë Demokratike dhe kanë larguar protestuesit dhe mbështetësit e Sali Berishës që ishin grumbulluar aty.

Forcat e policisë hodhën ujë për të larguar të gjithë protestuesit. Këta të fundit u shpërndanë në rrugë të ndryshme të zonës përreth për shkak të hedhjes së ujit dhe gazit lotësjellës. Policia e Shtetit njoftoi se ndërhyri për të shpërndarë protestuesit pas kërkesës që mori nga disa deputetë që ndodheshin brenda selisë së PD në katin e dytë, që sipas tyre, u rrezikohej jeta.

Ora 13:04 – Ndërhyn policia, largon protestuesit nga selia

Policia e Shtetit ka ndërhyrë në protestën që po zhvillohet në selinë e Partisë Demokratike.

Uniformat blu kanë hedhur gaz lotsjellës dhe ujë duke larguar protestuesit nga selia.

Ora 12:58 – Reagon Policia e Shtetit: Jemi gati të ndërhyjmë në selinë e PD, deputetët kërkuan ndihmë

Policia e Shtetit: Në bazë të një kërkese të bërë Policisë së Shtetit, nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit, sqarojmë se:

Policia e Shtetit është gati për të ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës.

Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve të protestës që të përmbajnë protestuesit dhe të shmangin çdo rast dhune, sepse do përballen me ligjin.

Ora 12:52 – Protesta tek selia e PD, Meta bën thirrje për ruajtjen e qetësisë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas incidenteve në protestën e selisë së Partisë Demokratike. Kreu i shtetit bën thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e akteve të dhunës.

Meta thotë se është e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme demokratike, që i shërben paqes sociale dhe demokracisë në vend.

“Duke ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim zhvillimet në selinë e Partisë Demokratike, theksoj rëndësinë e protestës paqësore, si një e drejtë fondamentale në demokraci, plotësisht legjitime dhe kushtetuese, që duhet respektuar nga të gjithë! Bëj thirrje për ruajtjen e qetësisë, shmangien e akteve të dhunës, provokimeve dhe tensioneve të panevojshme. Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme demokratike, që i shërben paqes sociale dhe demokracisë në vend”, tha Meta.

Ora 12:45 – Reagon delegacioni i BE: Nuk ka vend për dhunë në politikë, Shqipëria ka nevojë për opozitë solide

Delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë ka reaguar pas protestës që po zhvillohet në selinë e Partisë Demokratike, ku ka patur edhe përplasje e incidente mes protestuesve nga të dy palët.

Në një reagim në rrjetet sociale, delegacioni i BE bën thirrje për të shmangur aktet e dhunës.

Sipas tyre, në politikë nuk duhet të ketë vend për dhunë, ndërsa BE thekson se Shqipëria ka nevojë për opozitë solide.

“Delegacioni i Bashkimit Europian dënon aktet e dhunës që kanë ndodhur sot dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ruajnë qetësinë dhe vetëpërmbajtjen. Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë. Të gjithë kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullr dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e personave të pranishëm. Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për opozitë solide që kontribuon për axhendën e reformave të vendit për t’iu përgjigjur aspiratës së shqiptarëve që dëshirojnë të shikojnë Shqipërinë në BE”, bën të ditur delegacioni i Bashkimit Europian. 

Ora 12:42 – Sasi e madhe gazi lotsjellës dhe mjete të forta mbi protestuesit nga selia e PD

Gjatë protestës në selinë e Partisë Demokratike është hedhur sasi e madhe gazi lotsjellës. Gazi është lëshuar nga dera anësore e selisë, e cila ndër të tjera është blinduar me profile metalike. Por gaz është hedhur edhe nga kati i dytë.

Protestuesit janë përpjekur që të ngjiten me shkallë në katin e dytë, aty ku ndodhet kryedemokrati Lulzim Basha dhe anëtarë të tjerë të PD. Disa protestuesve u është hedhur spraj lotsjellës nga një dritare në katin e tyre.

Disa protestues të tjera pasi janë ngjitur në katin e dytë, pretendojnë se janë goditur me sende të forta ndaj tyre. Protestuesit dhe mbështetësit e Berishës thanë se sendet e forta u hodhën nga ballkoni i Lulzim Bashës.

Ora 12:38 – Reagon Policia e Shtetit: Uniformat blu nuk kanë hedhur asnjë send të kundërligjshëm në PD

Policia e Shtetit ka reaguar pas incidentit në selinë e Partisë Demokratike, aty ku u hodh gaz lotësjellës nga ana e grupit që ruan Lulzim Bashën.

“Sqarojmë opinionin publik se asnjë nga strukturat e Policisë së Shtetit të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë nuk është përfshirë në asnjë veprim dhe nuk ka hedhur asnjë send të kundërligjshëm në selinë e Partisë Demokratike, gjatë protestës që është duke u zhvilluar.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin e sigurinë dhe u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune apo prishje e rendit dhe sigurisë, pasi do të përballen me forcën e ligjit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. 

Ora 12:31 – Protestuesit ngjiten me shkallë në katin e 2 ku ndodhet Basha, goditen me sende të forta

Protestuesit dhe mbështetësit e Sali Berishës janë ngjitur përmes një shkalle në katin e dytë të godinës së Partisë Demokratike, aty ku ndodhet kryedemokrati Lulzim Basha dhe anëtarë të tjerë të PD.

Por sapo janë ngjitur në katin e dytë, ka patur goditje me sende të forta ndaj tyre.

Protestuesit dhe mbështetësit e Berishës thanë se sendet e forta u hodhën nga ballkoni i Lulzim Bashës.

Ndërsa ish-Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje Bashës: “Lulzim hiq dorë nga dhuna”.

Ora 12:19 – Hidhet gaz në selinë e PD, Berisha: E hodhi Basha

Sali Berisha ka akuzuar Lulzim Bashën se ka hedhur gaz ndaj protestuesve. Berisha tha se tubuesit janë paqësorë.

“Akt i rëndë, provokacion i dhunshëm. Lulzim Pengu hedh gaz ndaj protestuesve paqësorë. Krejtësisht paqësorë të cilët kërkojnë që shtëpia e tyre bunker të shndërrohet shtëpi e lirisë. Tregon qartë që është një peng i qartë amoral. Kërkon të largojë me gaz dhe dhunë referendarët e lirisë që kanë ardhur sot më të vendosur se kurrë që të përmbarojnë vendimin e tyre historik. Dyert e shtëpisë nuk mbyllen kurrë për familjarët. I mbyll vetëm pushtuesi, zaptuesi që quhet Lulzim Pengu, apo Bashë Brava”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri i bëri thirrje protestuesve për vetëpërmbajtje dhe gjakftohtësi./tvklan.al

Ora 11:56 – Protesta tek selia e PD, policia: Këto segmente rrugore janë të bllokuara

Për shkak të protestës që po zhvillohet, Policia do devijojë trafikun dhe do të bllokojë disa segmente rrugore.

Segmentet rrugore që tashmë janë të bllokuara:

  • Rruga nga Toptani deri te Parlamenti
  • Rruga “George W. Bush”
  • Bulevardi Zhan D’Ark

Policia apelon të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore.

Ora 11:45 – Protesta në selinë e PD, reagon Yuri Kim: SHBA e shqetësuar për tensionet, refuzoni dhunën

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka reaguar për protestën që po zhvillohet në selinë e Partisë Demokratike, duke u bërë thirrje protestuesve për qetësi dhe të mos krijojnë dhunë.

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për rritjen e tensioneve në selinë e Partisë Demokratike dhe përdorimin e forcës nga protestuesit. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të ruajnë qetësinë. Ata që nxisin dhunën ose minojnë ligjin do të jenë përgjegjës”, ka shkruar në Twitter ambasadorja Yuri Kim.

Ora 11:36 – Sali Berisha niset drejt selisë së PD, thirrje protestuesve për gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje

Sali Berisha vendosi që ta përshkrojë në këmbë rrugën për të shkuar në protestën kundër Bashës tek selia e PD. Berisha gjatë prononcimit për gazetarët bëri thirrje për gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje. “Nëse ndërhyn policia, ndërhyn Edi Rama”, tha Berisha. Sa i përket thyerjes së dyerve të selisë, Berisha tha se mbështetësit kanë hyrë në shtëpinë e tyre.

Sali Berisha: Ftoj të gjithë protestuesit demokratë e demokratë të cilët sot do të shndërrojnë bunkerin e Peng Bashës në shtëpinë e lirisë të ruajnë gjakftohtësinë të vetëpërmbahen dhe të vendosur për realizimin e qëllimeve tona. Basha është i shkarkuar. Peng Basha është i shkarkuar. Unë kërkoj vetëpërmbajtje, vetëpërmbajtje, vetëpërmbajtje.

Nëse ndërhyn poliçia çfarë do të bëhet?

Sali Berisha: Nëse ndërhyn policia, ndërhyn Edi Rama.

Simpatizantët kanë hyrë në seli duke thyer edhe dyert?

Sali Berisha: Në shtëpinë e tyre. Nëse dikush të mbyll derën e shtëpisë do ta hapësh. Nuk ka të drejtë njeri të të mbyllë derën e shtëpisë. Nuk ka të drejtë njeri që njërin anëtar të familjes ta lejojë dhe tjetrit t’i përplasë derën.

Do e ngujoni Bashën në godinë?

Sali Berisha: Nuk ngujojmë ne, nuk jemi parti burgjesh. Ne jemi të gjithë të nroamve dhe lirive demokratike.

Si e komentoni largimin e Bejkos nga mbështetësit?

Sali Berisha:Nuk e kam parë skenën, por ne jemi për një lëvizje paqësore. Ky është komenti im.

Keni apel për Bashën në këto momente?

Sali Berisha: Hapi dyert, ky është apeli, hapi dyert dhe shtëpia e është e demokratëve. Hapi dyert.

Ora 11:29 – Mbështetësit e Sali Berishës hyjnë në selinë e Partisë Demokratike, rrëzojnë dyert e mbyllura

Mbështetësit e ish-Kryeministrit Sali Berisha kanë hyrë brenda selisë së Partisë Demokratike, duke rrëzuar dyert e mbyllura të godinës së Partisë Demokratike.

Ora 11:26 – Protesta në selinë e PD, Sali Berisha reagon në Facebook

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar përmes një postimi në Facebook për protestën që zhvillohet përpara selisë së Partisë Demokratike.

Ish-Kryeministri shkruan se selia e PD, që sipas tij është kthyer në bunkerin e “peng Bashës”, sot do të shndërrohet në shtëpinë e lirisë.

“Sot demokratet dhe demokratët e Shqipërisë shndërrojnë bunkerin e Peng Bashës në shtëpinë e tyre të lirisë! Zoti i bekoftë”, shkruan Sali Berisha në Facebook. 

Ora 11: 11 – Incidenti me Roland Bejkon, reagon PD

Kanë nisur grumbullimet e protestuesve në oborrin e selisë së Partisë Demokratike pas protestës së thirrur nga ish-Kryeministri Sali Berisha kundër

Partia Demokratike ka reaguar pas tensioneve me Roland Bejkon në oborrin e selisë. Në një deklaratë thuhet se Sali Berisha frymëzon dhunë dhe pengon një sekretar të PD që të vijë në seli në një mbledhje pune.

Deklarata e PD: Dhuna e mercenarëve të Sali Berishës ndaj anëtarit të Kryesisë qendrore të PD Roland Bejko, është fytyra e Sali Berishës, që frymëzon dhunë, ushtron dhunë dhe pengon një sekretar të PD të vijë në seli në një mbledhje pune. E papranueshme që dhunohet një demokrat i orëve të para, nje demokrat i ndershëm me kontribute 30 vjeçare në këtë parti. Roland Bejko u dhunua sot vetëm se mendon ndryshe nga Sali Berisha, vetëm se nuk i shërben interesit të Sali Berishës,  vetëm se ka vendosur ti shërbejë interesit të demokratëve dhe PD.

Ora 10: 52 – Tensionet e para, përkrahësit e Berishës nxjerrin jashtë selisë Roland Bejkon

Tensione janë krijuar para selisë së PD-së. I përfshirë në këtë incident ka qenë Roland Bejko.

Teksa ai ka qenë duke hyrë në selinë e PD  është përballur me mbështetësit e Sali Berishës. Këta të fundit e kanë sharë dhe ofenduar Bejkon teksa ai po përpiqej që të hynte në selinë e PD.

Po ashtu ata e kanë shtyrë Bejkon dhe pas kësaj e kanë nxjerrë nga oborri i selisë së Partisë Demokratike.

“Sot arrijmë të marrim këto sharje. Ky është produkt i Sali Berishës dhe paaftësi e menaxhimit të elitës së PD që e ka lënë situatën në këtë pikë”, tha Bejko.

Bejko është sekretar për Pushtetin Vendor.

Mbahet sot në Tiranë protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit kundër kryedemokratit Lulzim Basha.

Tubimi nis zyrtarisht në orën 12:00, por protestuesit kanë nisur që të mblidhen para selisë së Partisë Demokratike për të kërkuar largimin e Lulzim Bashës nga detyra e kryetarit të Partisë Demokratike, në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit dhe Referendumit të 18 Dhjetorit.

Pak para orës 11:00 në oborrin e selisë së PD-së është regjistruar incidenti i parë. Sekretari për Pushtetin Vendor, Roland Bejko, është pritur me ofendime dhe sharje nga mbështetësit e Berishës, të cilët nuk e kanë lejuar që të futet në godinë dhe e kanë nxjerrë atë jashtë ambienteve të selisë së PD. Pas këtij incidenti, situata u qetësua.

Protestuesit e kësaj të pritet të zhvendosen edhe para Kryeministrisë më tej gjatë ditës.

Një ditë më parë Ish-kryeministri Sali Berisha tha se nuk do të largohen pa marrë në dorëzim selinë e partisë.

Lideri historik i së djathtës, ndërsa akuzoi Bashën se e ka kthyer partinë në një bunker, bëri të ditur se dyert e selisë do të hapen me çdo kusht dhe se partia do u kthehet demokratëve.

Ai i bëri thirrje gjithashtu Bashës të mos fshihet pas mercenarëve të armatosur që sipas tij kanë mbushur Partinë Demokratike.

Ndërkohë Lulzim Basha ndodhet në ambientet e brendshme të selisë. Ai zhvillon një mbledhje me Kolegjin e Kryetarëve prej orës 11:00, ndërsa pas kësaj do të ketë një takim edhe me Kryesinë./tvklan.al