Katari nuk do të jetë më ndërmjetësues në bisedimet e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit.
Vendimi vjen pas kërkesës së Uashingtonit për të dëbuar militantët e grupit Hamas nga Doha pasi ky i fundit refuzoi propozimin e fundit për armëpushim.
“Katari informoi si izraelitët ashtu edhe Hamasin se për sa kohë që ekziston një refuzim për të negociuar një marrëveshje me mirëbesim, ata nuk mund të vazhdojnë të ndërmjetësojnë,” tha një burim që foli në kushte anonimiteti.
Krahas SHBA-së dhe Egjiptit, Katari ka luajtur një rol të rëndësishëm në raundet e bisedimeve të deritanishme për të ndërmjetësuar një armëpushim në luftën njëvjeçare midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza, por deri më tani ato kanë qenë të pasuksesshme.
Në terren Tel Avivi vijon me ofensivën e vet ushtarake. Si pasojë e sulmeve të fundit 13 persona humbën jetën në dy sulme të ushtrisë izraelite në Gazë.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi, tha se një nga sulmet goditi një shkollë që shërbente si qendër strehimi në lagjen Tufah, në lindje të qytetit të Gazës ndërsa sulmi tjetër në një kampi në qytetin jugor Khan Younis.
Sulmet kanë vijuar edhe në Liban aty ku të paktën shtatë persona kanë gjetur vdekjen dhe 46 janë plagosur pas sulmeve ajrore izraelite në qytetin bregdetar të Tirit.
Klan News