Flet nëna e 16-vjeçarit, një prej të akuzuar për përdhunimin dhe vrasjen e Drita Saliajt
Aq të vështirë e ka ta pranojë që djali i saj 16-vjeçar ka marrë pjesë në përdhunimin e Drita Saliajt, sa as fjalën nuk mund ta artikulojë. Mimoza Saliaj, nëna e Luis Saliajt, një prej 3 personave të arrestuar për përdhunimin dhe vrasjen e 50-vjeçares në fshatin Gjerbës të Mallakastrës thotë se i biri i saj adoleshent duhet të marrë dënimin e merituar. Por në prononcimin e saj për gazetarët, ajo thotë se nuk e beson kurrë që Luisi ta ketë përdhunuar Dritën, pasi 16-vjeçari e kishte këtë të fundit si nënë.
“Luisi… Luisi, më falni se jam edhe shumë e shqetësuar. Për atë që flitet në media nuk jam dakord. Për atë fjalën e rëndë që ka dalë kohët e fundit (përdhunimin). Luisi e kishte nënë Dritën dhe nuk e bënte kurrë këtë. Çfarë duhet të them unë, është shumë fjalë e rëndë për Luisin kjo. Këtë të fundit njëherë nuk e besoj, kurse për të tjerat, Luisi të thotë të vërtetën dhe të marrë atë që meriton. Këtë nuk e besoj, sepse Drita e ka rritur djalin tim. Ne shkonim e vinin si familje me njëri-tjetrin”.
E tronditur nga ngjarja e rëndë, Mimoza Saliaj thotë se qëndron vetëm shtrirë. I tronditur thotë se është edhe bashkëshorti i saj, i cili vetëm qan. Apeli i saj është që autorët të marrin atë që meritojnë, ndaj thotë se nuk ka pajtuar as avokat për ta mbrojtur të birin në gjykatë.
“Shumë keq, unë rri vetëm shtrirë. A erdhët tani me gjetët shtrirë apo jo? Shumë keq, nuk do doja që të kishte ndodhur. Drejtësia të vihet në vend, të marrë atë që meriton nëse e ka bërë. Nuk e përfaqësoj (me avokat), nëse ai e ka bërë atë punë. Le të marrë atë që meriton. Bashkëshorti është shumë keq, në gjendje shoku ka qenë, vetëm qan. Vetëm qante në telefon. Apeli im është që të marrin atë që meritojnë, nëse e kanë bërë. Për përdhunimin nuk jam dakord, nuk e bënte djali im, ajo e ka rritur djalin tim”.
Të hënën, detaje të reja tronditëse dolën në dritë për ngjarjen e ndodhur mes 4 dhe 5 Janarit në Mallakastër, ku mbeti e vrarë 50-vjeçarja Drita Saliaj, detaje që u zbuluan nga prokuroria në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë për tre të arrestuarit, Ervis Zotaj 26 vjeç, Sindi Shehaj 16 vjeç dhe nipi i viktimës, Luis Saliaj 16 vjeç.
Pikërisht ky i fundit rrëfeu dinamikën e ngjarjes. Të rinjtë shkuan tek shtëpia e viktimës për të blerë hashash dhe pasi nuk ranë dakord për çmimin e dhunuan e përdhunuan 50-vjeçaren. Më pas e lidhën dhe e hodhën të gjallë në rezervuar. Trupi i Drita Saliajt u gjet më 7 Janar./tvklan.al