Mes të plagosurve edhe deputeti i PS Bujar Çela, bashkëpronar në këtë biznes
Këto janë pamjet e shpërthimit të fuqishëm që tronditi Lushnjën. Dy të vdekur, babë e bir dhe 6 të plagosur është bilanci i kësaj ngjarjeje. Mes të plagosurve është dhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela.
Humbën jetën
Roland Hoxha
Elidon Roland Hoxha
Të plagosur te “Trauma”
Bujar Çela
Sokol Lumi
Në spitalin e Lushnjes
Sajmir Korreshi, vëllai i nënkryetarit të bashkisë
Ilia Sota
Lunedi Golemi
Ervis Sharka
Një vinç po ngrinte dy bombola oksigjeni për t’ua afruar punëtorëve që po saldonin në këtë ndërtesë. Njëra prej tyre u shkëput nga era, duke hasur në linjën e tensionit të lartë dhe duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm. Nga ky shpërthim humbi jetën fillimisht drejtuesi i vinçit Roland Hoxha, i cili nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda.
Disa orë më pas rrugës për në spitalin e Traumës ndërroi jetë edhe i biri 24 vjeç Elidon Hoxha, i cili ndodhej në vinç më të atin. Ndërkaq njëra nga bombolat e oksigjenit mbeti e varur në vinç. Për të verifikuar sigurinë e saj në vendngjarje erdhi skuadra anti-eksploziv nga Tirana, e cila ka verifikuar situatën.
Nga shpërthimi pati dëme të shumta dhe në bizneset dhe banesat aty pranë. Në këtë banesë janë dëmtuar xhama, dyer dhe orendi shtëpiake, por fatmirësisht nuk ka patur të lënduar.
Për shkak të këtij aksidenti të ndodhur mbetën pa energji disa zona që furnizohen nga nënstacioni në Hysgjokaj. Në përfundim të ekspertizës së policisë pritet edhe një vlerësim më i qartë i rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes së rëndë.
Klan News