Këtë të hënë u mblodh Komisioni i Ekonomisë për seancën dëgjimore për anëtarin e pezulluar nga detyra e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj.
Ai është thirrur për të dhënë versionin e tij për propozimin e qeverisë të shkarkimit nga detyra në bankën qendrore.
Gjatë fjalës së tij, Malaj e konsideroi si shpifje kërkesën për shkarkimin e tij. Ai tha se ka shërbyer me dinjitet dhe integritet të lartë profesional gjatë gjithë karrierës së tij.
Malaj paralajmëroi se do të ndjekë të gjithë hallkat gjyqësore për të ankimuar çështjen e shkarkimit.
“Duke u përballur me shpifjen e 28 deputetëve dhe duke u përballur së fundmi me fermanin sulltanor për pezullimin dhe shkarkimin, unë gjej inspirim te poeti i madhe Gëte, i cili thekson se “Në qoftë se ke humbur paratë, pak ke humbur. duhet punë që të tjerat të fitosh. Në qoftë se ke humbur nderin, shumë ke humbur, duhet famë që mendimin e të tjerëve të ndryshosh. Në qoftë se ke humbur besimin, biri im më mirë të mos kishe lindur”. Kjo më ka shërbyer në jetë dhe gjatë gjithë 28 viteve në ballafaqim publik në mandate të rëndësishme të tranzicionit të vendit tim i kam shërbyer me dashuri maksimale, me profesionalitet dhe integritet maksimal. Akuzat tuaja janë të lehta për t’u hedhur poshtë dhe ballafaqimi deri në Gjykatën e Strasburgut është gjëja më e lehtë për mua”, tha Malaj.
Sipas Malajt, mazhoranca kërkon karrigen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ai kundërshtoi relacionin e Këshillit të Ministrave ku arsyetohet se Malaj ka shkelur rregullat e etikës së sjelljes duke trajtuar çështje që nuk i shërbejnë publikut për t’u informuar.
“Në atë copë letër që keni shkruar thoni që gjithë bordi nuk është aktiv. Ku është tabela që thotë se kush nga anëtarët e bordit e paska plotësuar këtë detyrë që unë nuk e kam plotësuar. Unë nuk dua të penalizohen anëtarët e bordit. U ndjeva shumë mirë që pasi Guvernatori i Bankës pasi u sigurua që 28 deputetë do të kërkonin shkarkimin tim dhe për mungesë përvoje në mbledhjen e 7 Gushtit, ku unë i kërkova me shkresë edhe qeverisë, edhe parlamentit që në mbledhjen e parë pas kërkesës së 28 deputetëve ministri i Financës që sipas ligjit ka të drejtë të marrë pjesë pa të drejtë vote të vinte dhe të dëgjonte shqetësimin tim në lidhje me cënimin real të pavarësisë së BSH nga kërkesa e 28 deputetëve. Asnjëri prej jush nuk reagoi. Kjo tregon se unë e dua më shumë Bankën e Shqipërisë se unë reagoj. Ndërkohë duke mos reaguar dhe mos trajtuar probleme ju nuk doni Bankën e Shqipërisë, por karrigen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës Bankës së Shqipërisë”, tha Malaj./tvklan.al