Në Kuvend sot u miratua me 90 vota pro ngritja e Nënkomisionit për Auditimin Publik, i cili do monitorojë punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pikërisht për këtë institucion pati replika mes palëve politike gjatë seancës.
Ishte kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi i cili theksoi se “mazhoranca kërkon të intimidojë KLSH në kryerjen e detyrës.”
“Të martën në Komisionin e Ekonomisë, KLSH është vënë para një situate të pandodhur në 34 vite. Është tentuar të ballafaqohet një nëpunëse publike me kryetarin e KLSH. Cenim i hapur i pavarësisë së institucionit. Ka qenë KLSH që ka denoncuar aferën e Inceneratorëve apo skandalin Onkologjikut apo shkeljet me procedurat e tenderimit në Ministrinë e Brendshme. Draft-rezoluta është lexuar nga relatorja e komisionit. KLSH brenda këtij sesioni do duhet të ftohet për të raportuar në seancë plenare.”
Kreu i Komisionit të Financave dhe Ekonomisë Eduard Shalsi iu përgjigj duke thënë se duheshin sqaruar motivet për shkarkimin e një titullareje.
“Të paaftë për t’u ballafaquar me argumenta, të paktën të merren vesh mirë me njëri-tjetrin sepse do kishin kuptuar që këtë vit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave ka qenë një zonjë që ka ndërruar 16 ministra dhe sot ushtron një funksion për të cilin KLSH ka kërkuar shkarkim nga detyra. Është precedent i ri për komisionin, atëherë i kërkuam kryetarit të KLSH që të sqaronte motivet që e kanë çuar një masë të tillë ekstreme për një punonjëse për të cilën i gjithë grupi i PD on block ishte i shqetësuar.”
Më tej ai akuzoi KLSH-në se nuk ka dhënë asnjë përgjigjie për shumë çështje.
“E dyta, ka disa pyetje që janë ende pa përgjigjie nga KLSH, përshembull skandali i Onkologjikut ka pasur kallëzim penal apo jo, ende sot nuk kemi një përgjigjie. Komisioni i ka bërë një sërë pyetjesh të tjera. Po ua përsëris, nuk ka nevojë KLSH për avokatinë tuaj. Ne jemi ende me diskutimin e draft-rezolutës, jemi në pritje të disa përgjigjieve që nuk janë kthyer dhe në ditën që do i kemi, do ia sugjerojmë parlamentit.”
Ndërkohë Bardhi vijoi të kërkonte me ngulm që në Kuvend të raportojë kreu i KLSH-së.
“Ka një kalendar të miratuar, fusni raportimin e kryetarit të KLSH dhe miratimin e rezolutës. S’mund të shtyhet deri në fund të vitit raportimi i njërit prej institucioneve kyçe të kontrollit financiar.“
/tvklan.al