Dritat ikin edhe në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë… Kështu ndodhi këtë të martë, teksa në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, diskutohej marrëveshja e huasë mes BERZH dhe OSHEE.

Megjithëse dritat u shkëputën mbledhja e cila po transmetohej online në faqen zyrtare të Kuvendit vijoi dhe u shoqërua me debat mes Ministres Belinda Balluku dhe deputetit demokrat Arbi Agalliu, pasi ky i fundit u dallua nga Ministrja teksa bënte foto.

Belinda Balluku: Më fal një sekondë, kjo foto tani…

Arbi Agalliu: Edhe foton do më ndalosh?

Belinda Balluku: Jo do ta ndaloj se është qesharake. Jo ti nuk bën dot foto kështu se janë në funksion… jo nuk është etike!

Arbi Agalliu: Jo unë do bëj, s’ma ndalon do ti as foton, asgjë…

Belinda Balluku: Nuk është etike çfarë po bën!

Arbi Agalliu: Fare etikën mos ma përmend mua.

Belinda Balluku: Ne kemi ardhur në komision për të folur për çështje konkrete dhe profesionale. Nëse ti ke ardhur të bësh foto kjo është tjetër.

Arbi Agalliu: Nëse ke frikë nga fotot është problemi juaj…

Belinda Balluku: Po ç’frikë nga fotot, unë dal dhe mirë në foto mos ma qaj hallin mua.

Arbi Agalliu: Është turp…

Belinda Balluku: Jo është turp, mungesë etike nga ana jote.

Përse u shkëputën dritat? Në një reagim menjëherë pas rikthimit të energjisë, OSHEE sqaroi se “për shkak të shkëndijës elektrike (duke shkaktuar zjarr), në kabinën private në pronësi të Kullave Binjake, OSHEE stakoi linjën që furnizon zonën përreth për masë sigurie. Ndërkohë, manovruam duke rikthyer energjinë për zonën përmes linjës së dytë.”/tvklan.al