“Janë rritur testimet. Gati paketat falas, për trajtim në banesë”
“Situatë kritike, por nën kontroll”. Kështu e ka përkufizuar ecurinë e pandemisë së koronavirusit në vendin tonë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Kjo, sipas kreut të shëndetësisë, ka çuar në rritjen e nevojave për testim .
“Tetori është mbyllur me 39 mijë e 51 testime dhe vetëm në 13 ditët e para të nëntorit janë 24 mijë e 48 testime të kryera në sistemin tonë publik dhe 11 mijë e 380 të kryera për efekt të depistimit në sistemet jo publike në laboratorët e çertifikuar me metodën e PCR. Është bërë porosia nëpërmjet instrumentit të Bashkimit Europian për 300 mijë teste të shpejta të anti-genit me financim të qeverisë shqiptare”.
Rastet e të infektuarve janë dyfishuar, por në krahasim me rajonin, sipas ministres, vendi ynë është më pak i prekur nga pandemia.
“Shqipëria qëndron në një incidencë dyjavore për total 100 mijë banorë në 901 raste, krahasuar me mesataren e rajonit 1454 të prekur për 100 mijë banorë. Ashtu sikurse përsa i përket rasteve të fataliteteve që nëse do të bënim një vlerësim të fataliteteve për 1 milion banorë vendi ynë qëndron në 20.6 humbje jete. Dhe një krahasim të vendeve të rajonit, 31. 6 është mesatarja e vendeve të rajonit për fatalitete. 48.8 është mesatarja e Bashkimit Europian”.
Shumica e të prekurve trajtohen ambulatorisht nga mjeku i familjes, e për këtë janë hartuar dy paketa mjekimi të cilat pas miratimit nga qeveria do të aplikohen falas.
“Paketa e rimbursimit për trajtimin ambulator në banesë të personave të testuar pozitiv me Sars-Cov-2 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Skema 1 e trajtimit e cila përfshin format e lehta të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov-2. Skema 2 e trajtimit e cila përfshin format e moderuara të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov. Kostoja vjetore parashikohet 1.2 miliard lekë në vit”.
Ekspertët e Komitetit, ashtu si ministrja, kërkuan që pacientët t’i besojnë vetëm asaj çfarë mjeku i familjes ofron në trajtim.
“Recetat në WhatsApp nuk funksionojnë, dëmtojnë shëndetin. Çdo gjë e di vetëm mjeku i familjes”, tha ministrja Manastirliu.
“Vetëmjekim, vetë diagnostikim. Recetat nuk mund t’i thuash, përcaktimin e skemës mjekuese e jep vetëm mjeku i familjes ose mjeku specialist. Nuk duhet t’ju besoni recetave që qarkullojnë sepse do vetëdënoheni”, u shpreh mjeku Tritan Kalo.
Sa i takon përhapjes së koronavirusit në vend, sipas ekspertëve, 80% janë vatra familjare dhe 20% struktura biznesi, administratë dhe shkolla.
Tv Klan