Beteja ligjore që lidhet me akuzat e shkeljes së ‘Fair Play Financiar’ po shkon gjithnjë e në dëm të Manchester City. Është ky bilanci që shkruajnë mediat angleze, të cilat shtojnë se gjiganti i futbollit Europian do përballet me një skenar gjithnjë e më serioz. Sipas “The Telegraph”, nëse do të shpalleshin fajtorë, kampionët e Anglisë jo vetëm që do të rrezikonin rënien nga Premier Liga, por gjithashtu mund të përjashtoheshin nga garat e tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Carabao Cup, FA Cup, Champions League dhe Botërorin e Klubeve.

Një përplasje totale për të cilën nuk ka ende siguri për momentin, por që e bën çështjen gjithnjë e më të ndërlikuar. Për më tepër, klubet e tjera në Premier League dhe më gjerë po ndjekin me vëmendje çështjen për të kuptuar çdo lëvizje të Federatës Angleze dhe UEFA-s.

Të interesuara për caktimin e një dënimi të rëndë në rast fajësie, klubet nuk do të kënaqeshin me një zbritje të thjeshtë pikësh ose një rënie, por do të donin një dënim shembullor. Manchester City është nën akuza për shkeljen e rregullave financiare ndërmjet viteve 2009 dhe 2018, me bilancin e klubit që ka qenë thuajse gjithmonë në humbje gjatë kësaj periudhe.

Klan News