Gjatë periudhës 29 Nëntor – 11 Dhjetor 2024, sistemi europian i sigurisë ushqimore RASFF ka raportuar tre raste të ndotjes me mbetje të pesticideve Chlorpyrifos dhe Phosmet në ngarkesa mandarinash me origjinë nga Shqipëria.

Këto substanca janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara në Bashkimin Europian për shkak të dëmeve të tyre afatgjata në shëndet. Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore, tha se sistemi i kontrollit ka dështuar.

Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore: Këto janë dy substanca të cilat nuk lejohen të ekzistojnë fare në territorin e Shqipërisë apo në farmacitë bujqësore dhe kjo e bën situatën akoma më alarmante. Plani i monitorimit të monstrave do të thotë që ka dështuar në këtë rast, nuk ka qenë efikas dhe nuk ka arritur të detektojë në kohë reale këto ngarkesa me pesticide.

Sipas Resulit autoritet duhet të tregojnë transparencë pasi konsumatorët janë në panik.

Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore: Insititucionet e varësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë duhet të kthejnë besimin tek konsumatori, të deklarojnë që këto tre ngarkesa u asgjësuan me pamje filmike madje edhe në prezencë të mediave, pra të bëhet publike gjithë procesi ligjor për asgjësimin e këtyre produkteve. Të rritet vigjilenca e kontrolleve dhe të monitorohet në mënyrë të vazhduar apo nëpërmjet një hetimi të rastit të gjendet se si këto lëndë të palejuara për tregti u gjendën. Nëse hynë kontrabandë pra të gjejmë kush i futi dhe pse i futi.

Konsumatorët thonë se nuk dinë se çfarë hanë.

“Së çfarë hamë ne po vdesim të gjithë. Asnjë gjë nuk është e sigurtë. Unë jam 90 vjeç dhe e di shumë mirë edhe këtë kohë edhe atë kohë.”

“Për të gjitha, s’ka siguri fare.”

Këto pesticide janë ndaluar në BE për përdorim dhe tregtim që prej vitit 2020, për shkak të problemeve shëndetësore afatgjata që ato mund të shkaktojnë, siç janë dëmtimet e sistemit nervor dhe çrregullime të sistemit endokrin. Rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer.

Klan News