Ditën e djeshme një sasi e madhe me mandarina u asgjësuan nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në një pikë grumbullimi për eksport në Divjakë. Ky vendim u mor pas Bashkimi Evropian i ktheu mbrapsht këto prodhime shqiptare, pasi përmbajnë substanca të ndaluara të përdorura nga kultivuesit.

Publikimi i këtij lajmi krijoi shqetësim tek populli sa i përket konsumimit të mandarinave. I ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan, Martin Jorgaqi nga AKU tha se kontrollet janë të vazhdueshme për të gjitha frutat dhe perimet, sa i përket pesticideve të palejuara dhe atyre që janë të lejuara, por që mund të jenë përdorur nga fermerët tej normave.

“AKU ka një plan monitorimi të pesticideve si dhe përdorimin e pesticideve të lejuara, por që janë mbi normal e lejuara. Gjatë gjithë kontrollit tonë ka pasur raste që kanë dalë mbi normë në të cilat ne kemi marrë masat tona konkrete për bllokimin dhe asgjësimin e këtyre produkteve. Kemi planin e monitorimit për të gjitha frutat dhe perimet. Dhe në të gjitha rastet nga rezultimi i analizave laboratorike del që këto produkte janë me përmbajtje të pesticideve mbi normën e lejuar, këto shkojnë direkt për asgjësim dhe masat konkrete të marra më vonë nga hapat e mëtejshëm në lidhje me këta fermerë me mënyrën se si i përdorim pesticidet, zbatimin e periudhës së karcenës dhe përditësimin e regjistrave të kontrollit që vetë fermeri dhe institucioni përkatës mbajnë nën kontroll për daljen e produkteve në normë dhe sigurimin pas parashikimeve që kemi”, sqaroi Martin Jorgaqi.

Sa i përket kontrolleve, ai shtoi se të gjitha bëhet në përputhje me legjislacionet e Bashkimit Europian. Ndërkohë që shtoi se kontrollet e AKU kanë gjetur sasi të larta të pesticideve ose përdorimin e pesticideve të palejuara në produktet ushqimore të marra nga vendet e Bashkimit Europian.

Shqipëria ka një bazë të afruar me Bashkimin Europian dhe përditësimi i listave dhe normave të lejuara bëhet në mënyrë të menjëhershme ashtu siç dalin edhe në Bashkimin Europian, kështu që normat që kemi në Shqipëri normalisht janë të gjitha normat që funksionojnë në Bashkimin Europian lidhur kjo dhe me përafrimin e gjithë legjislacionit edhe në aderimin në BE duke u përgatitur me gjithë problematikat. Duhet thënë që në këto kontrolle që ne bëjnë, jo vetëm në fruta-perimet të cilat kultivohen në vendin tonë, por gjithashtu edhe ato që vijnë nga importi. Kemi pasur disa raste në të cilat janë gjetur pesticide, nga vendet e Bashkimit Europian të cilat janë përdorur edhe mbi normë. Në këtë mënyrë ne kemi bërë referimin në sistemin e njoftimit alert, rast që kjo të ndiqet në vendet përkatëse dhe kemi pasur shumë raste që kemi njoftuar dhe Greqinë dhe Italinë për prodhimin e këtyre produkte me vlera mbi normën e pesticideve,” tha eksperti./tvklan.al