Cana: Shkak, paaftësia e sistemit shëndetësor
I ftuar në emisionin “99 minuta”, infektologu Fadil Cana shpalosi punën maratonike të stafit të Klinikës Infektive të Shkupit në luftën për trajtimin e personave të sëmurë me Covid-19.
I pyetur se cilat janë arsyet që Maqedonia e Veriut qëndron në vend të tretë në Evropë për numrin më të madh të jetëve të humbura, specialisi Cana tha: “Numri i vdekshmerisë, që llogaritet i lartë, është edhe si pasojë e mbingarkesës së sistemit shëndetësor dhe paaftësisë së sistemit shëndetësor që të mund t’i ofrojë kujdes adekuat të sëmurëve me Covid-19”.
Për sa i përket përshkrimit të antibiotikëve për pacientët e sëmurë me Covid-19 nga ana e mjekëve amë, infektologu Cana e vlerëson si një qasje të gabuar.
“Për fat të keq ne në praktikë ballafaqohemi me raste kur në momentin që kuptohet që pacienti është pozitiv, fillon trajtimi jo adekuat me antibiotik të cilët ndikojnë në rënien e sistemit imunitar, dhe thënë në mënyrë alegorike, sikur e hap derën që virusi ta kaplojë organizmin edhe më fuqishëm”.
Shpikja e vaksinës ishte një veprim shpresëdhënës por lajmet e rrejshme dhe teoritë konspirative kanë nxitur dyshime tek një pjesë e qytetarëve për të cilët infektologu Cana ka një mesazh.
“Nga ana ime do të ishte një porosi shumë transparente dhe e hapur se ato vaksina duhet të merren për arsye se është e vetmja mënyrë që të mund t’i shihet fundi kësaj pandemie”.
Infektologu Cana, përgjatë bisedës, theksoi se mjekët amë duhet t’i kontrollojnë fizikisht pacientët e sëmurë me Covid-19 për t’i parë nga afër parametrat vital dhe jo të përshkruajnë terapi vetëm përmes telefonit.
Klan Macedonia