Pasi ‘pushtoi’ botën e mahnitshme plastike të Barbie Land, Margot Robbie i është drejtuar terrenit të Monopoly.

Kompania e saj LuckyChap dhe bashkëpunëtorët e aktores, Tom Ackerley dhe Josie McNamara do të prodhojnë një film ‘live-action’ të lojës së famshme. Hasbro Entertainment dhe Lionsgate do të jenë gjithashtu pjesë e ekipit.

Sipas Lionsgate, Monopoly është loja më e famshme në botë, gjendet në më shumë se 100 vende të botës dhe ka shituar gjysmë miliardë kopje që prej vitit 1935.

Nuk dihet sesi Robbie dhe kompania e saj do të krijojnë një histori nga bota 2D e lojës. Kush do të jetë maskota e famshme, Xhaxhai i pasur Pennybags? Do të grumbullojnë dot 200 dollarë?

Gjithsesi, nuk është aspak habi që Lionsgate ia besoi projektin kompanisë së Robbie, e cila ka patur një rritje kërkesash që pas suksesit të verës së shkuar. LuckyChap prodhoi filmin “Barbie” që rrëfeu historinë e kukullës së famshme të Mattel dhe ishte më fitimprurësi i vitit 2023 duke shënuar 1.4 miliardë dollarë fitime në rang global.

Hollivudi ka më shumë se një dekadë që kërkon të bëjë një përshtatje të Monopoly-t, madje Kevin Hart dhe Tim Story janë ndër ata që e kanë provuar dhe kanë dështuar.

Lionsgate tha se “ka një këndvështrim të qartë” për filmin dhe shprehu entuziazmin për bashkëpunimin me kompaninë e Robbie./tvklan.al