Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi thotë se sipas tij, modeli i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama ka turpëruar Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Bardhi është shprehur se Rama ka vendosur të fshihet si frikacak referuar kërkesës së opozitës për interpelancë me kryeministrin në lidhje me investigimin e “Rai3” për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët.
Gazment Bardhi: Ju keni vendosur të grisni kushtetutën dhe rregulloren sa herë kërkohet që Rama të japë llogari dhe ky i fundit ka vendosur të fshihet si frikacak. Ky Kuvend sot do të duhet të distancohet nga sjella e Ramës ndaj Rai3, duhet të distancohet nga modeli i qeverisjes. Ish-këshilltari i vetë Ramës, na pohoi që anëtarët e mafias shqiptare, kanë përfaqësuesit e tyre dhe kanë mundësi për të kushtëzuar veprimet e qeverisë. E vërteta turpëron Ramën. Të thuash të vërtetat nuk ka aspak të bëjë me imazhin e Shqipërisë.
Imazhi i Olsi Ramës dhe Engjëll Agaçit nuk është imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve, por janë ata qytetarë të ndershëm që nuk pasurohen përmes korrupsionit, që shkëlqejnë me punë të ndershme. Investigimi në asnjë rast bëhet mbrojtës i narko-shtetit që ka ndërtuar Rama, nxjerr të vërteta me qeverinë e Ramës që ka treguar se e ka fuqizuar krimin e organizuar. Ishte prokurori i antimafias të Napolit që tregon se mafia është e fortë se vjen nga një shtet ku korrupsioni ka lulëzuar në çdo sektor. Shqetësim ka qenë nevoja për të kthyer qeverisjen në shërbim të qytetarëve. Rama mund t’i fshihet Kuvendit, por kërkesës së qytetave që qeverisja të jetë në shërbim të tyre, nuk i fshihet dot./tvklan.al