Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje tregtare mes SHBA-Mbrëtërisë së Bashkuar mund të arrihet së shpejti.
“Ne do të kemi një marrëveshje të madhe tregtare në një mënyrë ose në tjetrën. Ne do të përfundojmë me një marrëveshje shumë të mirë tregtare për të dy vendet dhe ne po punojmë për këtë ndërsa flasim”, tha Donald Trump.
Starmer tha se të dy vendet kishin filluar punën për një marrëveshje të re ekonomike, me teknologjinë e përparuar në thelb të saj, për të forcuar marrëdhëniet tashmë të forta tregtare.
“Dy kombet tona së bashku formësuan risitë e mëdha teknologjike. Ne kemi një shans tani për të bërë të njëjtën gjë për shekullin e 21-të”, tha Keir Starmer.
Trump e cilësoi Keir Starmer një “negociator të ashpër” i cili ishte përpjekur ta bindte atë të mos vendoste tarifa tregtare në Mbretërinë e Bashkuar. Në axhendën mes dy liderëve, presidenti amerikan ripërsëriti se një marrëveshje armëpushimi me Rusinë do të arrihet “së shpejti”.
Starmer u ka kërkoi sërish Shteteve të Bashkuara që të ofrojnë një garanci sigurie për çdo forcë evropiane që mund të marrë pjesë në një rol të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë në përfundim të bisedimeve të paqes.
Paqja në Gaza ishte gjithashtu në axhendë dhe dyshja ranë dakord se një marrëveshje për paqe afatgjatë mund të jetë zgjidhja e vetme në rajon. Kryeministri britanik u zotua të rrisë shpenzimet e mbrojtjes një vendim që u prit mjaft mirë nga presidenti amerikan.
Vizita e Starmer që vjen disa ditë pas vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron, pasqyron shqetësimin në rritje në Evropë se përpjekja e Trump për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë sa më shpejt, sinjalizon gatishmërinë e tij për t’i bërë lëshime Presidentit rus Vladimir Putin.
Kryeministri britanik i përcolli një ftesë për vizitë shtetërore Presidentit Trump në emër të Mbretit Charles, të cilën ai e pranoi. Mbretëresha Elizabeth mirëpriti Trumpin për një vizitë shtetërore tre-ditore në qershor 2019 gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.
Klan News