Interi dhe Napoli përballen mes tyre, në supersfidën e javës së 27-të në Serinë A. Një përballje, ku spektakli është i garantuar, ndërsa mund të vendosë shumë edhe për titullin, pasi janë ekipet që ndajnë dy vendet e para.
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, i cili në këtë përballje vjen si kryesues, tha se është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo vendimtare.
“Do të përballen dy ekipet më të mira. Duhen uruar Interi dhe Napoli për rrugën që kanë bërë deri tani. Do të jetë një ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare. Kanë mbetur edhe 12 ndeshje për tu luajtur, ndërsa në lojë janë edhe 36 pikë. E dimë nga e kemi nisur dhe cilat janë objektivat tona, sepse ne jemi Interi. Duam të luajmë sa më shumë ndeshje.
Ne jemi nga të paktat skuadra në Evropë që jemi në garë për tre trofe. Është një burim krenarie dhe duket të mendojmë ndeshje pas ndeshje”, deklaroi tekniku zikaltër.
Inzaghi vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke thënë se kanë lojtarë dhe trajner të shkëlqyer.
“Napoli ka lojtarë të shkëlqyer dhe një trajner të madh. Dinë se çfarë bëjnë dhe ne i kemi studiuar. Duhet t’i kushtojmë vëmendje detajeve, në të tilla ndeshje ato bëjnë diferencën. Ata kanë ndryshuar modulin dhe sistemin e tyre. Do të jetë një ndeshje e bukur mes dy skuadrave të shkëlqyera që e meritojnë të jenë këtu”, u shpreh Inzaghi.
Napoli-Inter do të luhet të Shtunën, në stadiumin “Diego Maradona”, duke nisur nga ora 18:00. /tvklan.al