Sot pritet takimi mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe atij të Ukrainës Volodymyr Zelensky. Duke marrë parasysh deklaratat e fundit, Trump është pyetur nga gazetarët se “a do t’i kërkojë falje homologut të tij?” Edhe pse e ka cilësuar “diktator” e madje ka hedhur pretendime që Ukraina e inicioi luftën, në konferencën për shtyp Trump nuk konfirmoi se do të kërkonte falje, por tha “se ka respekt për liderin ukrainas”.
Këtë të Premte parashikohet nënshkrimi i marrëveshjes sipas së cilës Ukraina do t’i japë Amerikës akses në tokat me mineralet e rralla, kjo një formë për të paguar mbështetjen e vazhdueshme ushtarake përgjatë 3 viteve luftë. Ndërkohë, Trump mbetet kontradiktor në qasjen e tij ndaj Zelenskyt. Nga Shtëpia e Bardhë ai ka thënë dje se Presidenti ukrainas është njeri shumë i guximshëm. “Mendoj se takimi jonë do shkojë shumë mirë. I kemi dhënë shumë pajisje dhe fonde, ata kanë luftuar me guxim”, është shprehur Trump.
Kujtojmë se jo më larg se javën e shkuar, Presidenti amerikan tronditi me deklaratat e tij.
“Mendojeni, një komedian modestisht i suksesshëm, i tha SHBA-ve të shpenzonin 350 mld dollarë për një luftë që kurrsesi nuk mund ta fitonte. Një luftë, që pa Trump nuk do mund të zgjidhej kurrë”, tha ai.
Më pas, hodhi sulme edhe sa i takon figurës së tij politike.
“Ai është shumë poshtë me sondazhet në Ukrainë dhe e vetmja gjë për të cilën ishte i zoti, ishte të luante me Biden si me një violin. Një diktator pa zgjedhje, vendi është shkatërruar dhe miliona njerëz kanë vdekur”, vijoi Trump.
/tvklan.al