Përditësimi i fundit në orën 16:33

-Sot në Hagë zhvillohet seanca e dytë gjyqësore ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së.

-Pas parashtrimit të gjatë të akuzave nga prokurorët ndaj 4 çlirimtarëve shqiptarë që mbahen në paraburgim mbi dy vite, sot është radha e mbrojtjes për të argumentuar dhe mbështetur kërkesën e klientëve të tyre për pafajësi të plotë dhe rrëzimin e akuzave të ngritura.

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka mohuar të gjitha pretendimet e prokurorisë speciale të prezantuara një ditë më parë. Avokati mbrojtës Gregory Kehoe ka thënë se Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime. Sipas tij ai kishte përkrahjen e SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk kishte motiv të merrte pjesë në krime, sepse ndryshe do të humbte atë përkrahje. Sipas tij, Thaçi nuk e ka mohuar asnjëherë se ka pasur krime të luftës, por këto sipas tij nuk janë bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

-Ish-Presidenti i Kosovës iu drejtua Dhomave të Specializuara në Hagë me një deklaratë. Ai mohoi të gjitha akuzat për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Thaçi theksoi se UÇK-ja përbëhej nga njerëz të thjeshtë dhe vullnetarë që mbrojtën shtëpitë dhe familjet e tyre. Ish-Presidenti theksoi se pa rezistencën popullore, Kosova sot nuk do të ekzistonte.

-Në seancën e parë, Prokuroria tha se katër të akuzuarit kishin themeluar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që gjatë periudhës së luftës kishte shënjestruar personat që i ka konsideruar kundërshtarë të UÇK-së. Ata shfaqën disa prova të prokurorisë në formë të komunikatave të UÇK-së, intervistave televizive, dokumentarëve e shënimeve personale të disa prej të akuzuarve.

-Ndërkohë, të katër ish-udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm.

-Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.

Përlotet Jakup Krasniqi në Gjykatën e Hagës

Ish-kreu i UÇK-së, Jakup Krasniqi është përlotur në një moment gjatë ditës së dytë të gjyqit në Gjykatën Speciale Në Hagë.

Gjatë mbrojtjes që avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe po bënte në Gjykatën Speciale teksa po fliste për UÇK-në dhe organizimin e saj gjatë luftës serbe në Kosovë, Jakup Krasniqi nuk i ka mbajtur dot lotët.

“Kjo ishte një ushtri luftëtare-vullnetare. Njerëz që iknin e dilnin siç dëshironin. Ofensiva serbe shkatërroi njësitë individuale të UÇK-së dhe dëmtoi strukturën e komandës së UÇK-së saqë edhe pjesa më e madhe e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së ikën nga Kosova. Gjatë kësaj periudhe kohore, pothuajse i gjithë shtabi nuk ishte në Kosovë. Ofensiva serbe, e dyta, jo e 98-ën, tani po flasim për fushatën masive të vitit 1999 që pengoi çdo mundësi që UÇK-ja të vepronte si një njësi e bashkuar”, tha avokati i Thaçit, Kehoe në momentin kur Selimi u përlot.

Rexhep Selimi në Hagë: Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia

Rexhep Selimi ka mohuar akuzat e Prokurorisë Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai u shpreh se aktakuza është e pabazuar në fakte dhe argumente.

“Nuk kam të bëj me krimet e pretenduara. Jemi këtu përballë një aktakuze që ende vazhdojmë ta konsiderojmë të pabazuar mbi fakte dhe argumente”, tha Selimi.

Selimi u shpreh në Hagë se luftën nuk e zgjodhën, por ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesë si komb dhe shoqëri.

“Lufta nuk është e mirë asnjëherë dhe për askënd. Ne luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë as si profesion e as si pasion. Ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb dhe si shoqëri. Shtypja vazhdonte kundër popullatës shqiptare në Kosovë. Serbia kreu dhjetëra masakra pa kursyer fëmijë, gra dhe pleq”, tha Selimi.

Ai theksoi se nuk ka frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia. Selimi u shpreh para trupit gjykues besimplotë kur tha se beson që Gjykata Speciale do ta shpallë të pafajshëm dhe ai së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së të akuzuar, do të kthehen në Kosovë për të cilën luftuan dhe punuan gjatë gjithë jetës.

“Pas themelimit të kësaj gjykate jo rrallë herë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia. Gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris. Unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Pavarësisht kësaj unë qëndroj sot përpara jush me besimin e plotë se në fund të këtij procesi do të vendosni në favor të pafajësisë sime. Siç u tha më herët më duhet të theksoj e të them se dallimet dhe opinionet në politikën mes nesh sidomos në kohë specifike me ndikime të thella politike nuk duhet dhe nuk mund të përdoren si fakte juridike kundër askujt dhe po ashtu kundër ne të bashkëakuzuarve. Në këto çaste që po flasim e po na shohin bashkëkombasit tanë, kam besim se të gjithë së bashku do të nxjerrim të vërtetën dhe unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi në vendin tonë të lirë për të cilin luftuam dhe punuam gjatë gjithë jetës sonë”, tha Selimi.

Selimi tregoi para turpës gjykuese se si në moshën e adoleshencë, shokët e klasës së tij helmoheshin nga forcat serbe.

“Unë siç thashë më lart isha në moshën e adoleshencë kur vijoja arsimet në shkollën e mesme, “Luigj Gurakuqi”. Serbia dhunshëm ia ndërroi emrin shkollës sonë dhe dhunshëm ia hodhi bustin në lumë. Atë vit filluan të helmonin nxënësit e klasës sime. I shihja moshatarët e mi duke vuajtur dhe duke nxjerrë shkumë nga goja nga helmimet misterioze që bënte Serbia”, u shpreh Selimi.

Përballë këtyre fakteve, Selimi tha se zgjodhi t’i bashkohej një familje të madhe, asaj Jashari. Këtu tregoi se në ditën e sulmit ndaj kësaj familjeje ai nuk ndodhej aty, sepse përndryshe do të kishte fatin e të gjithë të tjerëve që ranë heroikisht nga familja Jashari.

“Në vend që t’i bashkohesha familjarëve të mi në mërgim, unë iu bashkova një familje akoma më të madhe. Iu bashkova familjes Jashari në Prekaz. Në ëndrrat e mira të rinisë lashë studimet e letërsisë dhe u bëra pjesë e UÇK. UÇK në atë kohë e kishte emrin ushtri, por nuk numëronte shumë njerëz. Emrin dhe vullnetin e kishim shumë të madh, por njerëz dhe armë kishim shumë pak. Të ishe pjesë e UÇK-së donte të thoshe të ishe armik i Rusisë.

Isha i kërkuar dhe më kërkonin për të më arrestuar ose për të më vrarë. Ndaj meje u publikua një aktakuzë. Nuk mund të qëndroja më në shtëpinë time dhe u detyrova që bashkë me dajën tim më 10 Tetor 1996 të largoheshim nga shtëpitë tona. Prej asaj kohe kryesisht qëndroja me familjen Jashari dhe jo vetëm. Aty qëndroja me Ademin, Shabanin, Hamzën. Aty qëndroja me fëmijët e asaj familje. Këta fëmijë u vranë të gjithë më pas nga një sulm i policisë serbe. Në ditën e sulmit unë nuk ndodhesha aty prandaj edhe jam gjallë, përndryshe edhe unë do ta kisha fatin e atyre që ranë aty në ato tre ditë që siç njihen, tre ditët e epopesë së UÇK”, tha Selimi.

Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë 

Emmerson: Nuk ka dëshmitarë e prova kundër Veselit

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, tha se kundër klientit të tij s’ka asnjë provë e as dëshmitarë se ai ka kryer ndonjë prej veprave me të cilat ngarkohet.

“Asnjë nga dëshmitarët nuk e kanë parë Kadri Veselin të bënte diçka të papërshtatshme. Deri javën që shkoi ishte një dëshmitar në listën e ZPS-së, edhe pse kishte vdekur dhe provat ishin në letër. Ishte një dëshmitar që kishte pretenduar se e ka parë Veselin në Kukës duke marrë në intervistë një të ndaluar. Por, ishte e dukshme që në fillim dhe pasi pamë deklaratat e dëshmitë e tij se ky dëshmitar ishte gabuar sa i përket identifikimit të Veselit dhe ai kështu ishte shprehur edhe vetë. ZPS tani e pranon se ky dëshmitar e ka identifikuar gabimisht Veselin. Qëndrimi i ZPS është se është e panevojshme të ndryshojnë aktakuzën për këtë gjë. Ata nuk propozojnë që të paraqesin prova në mbështetje të kësaj”, tha avokati Ben Emmerson.

Hashim Thaçi në Hagë: Jam i pafajshëm! Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, iu drejtua Dhomave të Specializuara në Hagë me një deklaratë gjatë seancës së dytë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai mohoi të gjitha akuzat për krime lufte dhe kundër njerëzimit dhe u shpreh se “Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër”.

Ai theksoi se UÇK-ja përbëhej nga njerëz të thjeshtë dhe vullnetarë që mbrojtën shtëpitë dhe familjet e tyre. Ish-Presidenti theksoi se pa rezistencën popullore, Kosova sot nuk do të ekzistonte. (Lexo më shumë)

Për Thaçin, reja e zezë e Kosovës është hequr, referuar akuzave të Dick Marty ndaj UÇK-së të cilat u provuan në Gjykatë Ndërkombëtare si të pavërteta.

Ai i kërkoi palës gjykuese që të mos marrin opinionet, botime të pasluftës apo mllefet politike si fakte duke thënë që beson në një proces të drejtë, transparent e të shpejtë. (Lexo më shumë)

“Prokuroria s’ka prova se Thaçi ka dhënë urdhra për kryerjen e krimeve”

Avokati tjetër i Thaçit, Lluka Mishetiç, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka paraqitur prova se klienti i tij u ka dhënë urdhra ushtarëve të UÇK-së për “kryerjen e krimeve”.

Mishetiç tha se ZPS nuk ka asnjë provë se ka pasur linja të raportimit mes Thaçit dhe njësive të UÇK-së.

“Prokuroria nuk paraqet prova që Thaçi u ka dhënë urdhra ushtarëve të UÇK”, tha ai.

Ai po ashtu tha se gjatë Qeverisë së Përkohshme, Thaçi, pavarësisht se ishte kryeministër, ashtu siç u parapa me marrëveshjen në Rambuje, ai nuk kishte “pushtet ligjor dhe politik”, pasi ky pushtet ishte në duart të UNMIK-ut.

“Nuk kishte pushtet real dhe asnjëherë nuk kishte kontroll efektiv”, tha Mishetiç.

Mishetiq citoi një raport të grupit të krizës nga nëntori i vitit 1999, që sipas tij, dëshmon që Hashim Thaçi nuk ka qenë i kënaqur me krimet që po kryheshin pas luftës.

“Udhëheqësit e UÇK-së vazhdimisht u kanë bërë thirrje serbëve që të qëndrojnë në Kosovë”, tha avokati mbrojtës.

Mbrojtja publikoi edhe një deklaratë të vjetër të Thaçit ku dëgjohet duke thënë se ata nuk kanë luftuar për ta spastruar Kosovën etnikisht dhe se ai beson që “popullata serbe nuk i ka kryer krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë”.

“Ne duhet të kuptojmë që edhe serbët duhet të jetojnë në Mitrovicë, ata që nuk kanë bërë krime ata që nuk kanë vrarë njerëz. Kosova është e kosovarëve”, dëgjohet duke thënë Thaçi në një incizim të 26 qershorit 1999.

“UÇK-ja nuk kishte strukturë komande”

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, tha se për shkak të ofensivave serbe në Kosovë, më 1999, shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjitshëm, kishin ikur nga Kosova.

“Ofensiva serbe, e dyta, po flasim për fushatën masive të vitit 1999, pengoi çdo mundësi që UÇK-ja të vepronte apo funksiononte si një njësi e bashkuar. Nuk kishte strukturë komande të UÇK-së dhe me siguri nuk kishte strukturë efikase”, tha avokati Gregory Kehoe.

Thaçi dhe tre të akuzuarit e tjerë akuzohen se kanë themeluar Shtabin e Përgjithshëm dhe se ky trup ka shënjestruar “kundërshtarët” e perceptuar të UÇK-së.

Duke folur për periudhën pas çlirimit të Kosovës dhe nisjes së administrimit të Kosovës nga UNMIK-u, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, tha se krime mund të kenë ndodhur në nivel lokale me motive hakmarrjeje.

“Aktet e lokalizuara të dhunës individuale të nxitura nga zemërimi, urrejtja, mungesa e llogaridhënies ishin të pashmangshme”, tha Kehoe duke thënë se njerëzit që ishin kthyer nga dëbimi i gjetën pronat e tyre të djegura dhe të dëmtuara.

“[Aktet e dhunës] shpesh shkaktoheshin nga kriminelët, elementët keqbërës të UÇK-së, njerëz që prezantoheshin si UÇK, mbanin uniforma të blera në rrugët e Prishtinës e gjetkë”, tha tutje avokati.

Ai prezantoi edhe një pjesë të intervistës dhënë në Korrik të vitit 1999 të ish-gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark lidhur me krimet hakmarrëse ndaj serbëve lokalë.

“Ka qindra e mijëra njerëz që po kthehen mbrapsht. Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, por ka edhe serbë që mendojnë se do të jenë fajtorë për shkak të etnicitetit të tyre. Ka përpjekje legjitime që pronat t’i kthehen pronarëve. Është periudhë që po merret hak, po lahen hesape”, është cituar të ketë thënë Clark.

Gjyqi në Hagë, avokati: Thaçi nuk e kontrollonte UÇK-në

Vijon seanca e dytë gjyqësore në Hagë në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sot radhën e ka mbrojtja ku do të bëjnë deklarimet e tyre për të hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë Speciale.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, sërish insistoi se Thaçi nuk kishte pushtet real gjatë luftës, ashtu siç pretendon prokuroria se ai ka udhëhequr një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

“Hashim Thaçi nuk kontrollonte UÇK-në, e kontrollonin komandantët e zonave”, tha ai.

Kehoe po ashtu kundërshtoi një prej pikave kyçe të aktakuzës së Speciales, që thotë se synimi kryesor i Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, ishte të merrnin kontrollin e Kosovës.

“Nuk është aspak e vërtetë”, tha ai.

Ai tha se Qeveria e Përkohshme e udhëhequr nga Thaçi, kshte qëllim të ishte me bazë të gjerë, ashtu siç kishte kërkuar SHBA-ja, tha Kehoe.

Në këtë Qeveri të Përkohshme, sipas Kehoe, kishte vend për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndonëse ky subjekt refuzoi të merrte pjesë. Ky ekzekutiv, sipas mbrojtësit të Thaçit, nuk u krijua për të shënjestruar “kundërshtarët” e as për shfrytëzuar vakuumin e pushtetit.

Avokati i Thaçit u shpreh më tej se klienti i tij nuk kishte mundësi të parandalonte apo të ndëshkonte krimet që ndodhnin nëpër zona sepse pushteti real u takonte komandatëve të zonave.

“Hashim Thaçi nuk kishte mundësinë të parandalonte apo të ndëshkonte krimet që ndodhnin nëpër zona. Pushteti real u takonte komandantëve të zonave”, tha ai.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.

Mbrojtja: Thaçi nuk ka pasur motiv të kryejë krimet për të cilat akuzohet

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, tha se klienti i tij nuk ka pasur motiv për të kryejë krimet për të cilat akuzohet.

“Ai e dinte se suksesi i UÇK-së varej nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja”, tha ai, duke përmendur disa kushte që SHBA-ja i kishte vendosur UÇK-së për funksionimin e saj, që përfshinte atë që të mos sulmonin civilët.

Kehoe kundërshtoi deklaratën hyrëse të prokurorëve të specializuar që u dha gjatë të hënës. Sipas tij, atyre ju mungoi konteksti i luftës kur pretendohet se janë kryer krimet.

“ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë funksionale komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës. Faktet e asaj që ndodhën në terren duam të vendosim në kontekst”, tha ai.

Kehoe tha se Thaçi e ka pranuar se janë kryer krime gjatë luftës nga disa individë, por hedh poshtë akuzat e prokurorisë se këto krime janë kryer në bazë të një politike të udhëhequr nga UÇK-ja.

“Ai e kundërshton pretendimin e ZPS se janë kryer në bazë të një politike të Shtabit të Përgjithshëm apo që ka pasur krime sistematike dhe të përhapur”.

Sipas avokatit të Thaçit, Serbia ka kryer krime në Kosovë që shpesh kanë pasur për bazë edhe hakmarrjen. (Burimi: REL)

Mbrojtja e Thaçit: Pushteti ishte në duart e komandantëve lokalë

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka nisur deklaratën hyrëse që pritet të zgjasë tri orë.

Avokati Gregory Kehoe në nisje të seancës tha se në ditën paraprake, Zyra e Prokurorit të Specializuar tentoi të lidhë dokumente e komunikata për të dëshmuar se “kolaboracionistët ishin kërcënim ekzistencialë”.

“Përfaqësuesit e ZPS-së folën si kolaboracionistët shiheshin si rrezik ekzistencial. I vetmi rrezik ishte ushtria serbe bashkë me forcat paramilitare”, tha ai.

Ai po ashtu tha se Thaçi akuzohet se ka drejtuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, por dha një shembull se si komandantët lokalë kishin ndryshuar komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, në kohën kur Thaçi ishte në Rambuje të Francës për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

“Komandantët lokalë e ndryshuan komandantin e përgjithshëm, pa marrë mendim nga Thaçi e Azem Syla, që gjendeshin në Rambuje. Pushteti ishte në dorën e nivelit lokalë”, tha ai.

Gjatë ditës se djeshme Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi thanë se është i papranueshëm qëndrimi i tyre për një kohë kaq të gjatë në paraburgim.

Ndërsa prokuroria i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosove dhe Shqipëri gjatë viteve 1998-1999.

Çfarë ndodhi në ditën e parë të gjyqit?

Më 3 Prill, pas më shumë se dy vjetësh nga konfirmimi i aktakuzës, nisi gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Prokuroria mbajti deklaratë hyrëse për rreth pesë orë, duke pretenduar se ka prova të mjaftueshme për të dënuar ish-krerët e UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në hyrje të seancës, të katër të akuzuarit sërish u deklaruan të pafajshëm për dhjetë pikat e akuzës.

Prokuroria tha se katër të akuzuarit kishin themeluar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që gjatë periudhës së luftës kishte shënjestruar personat që i ka konsideruar kundërshtarë të UÇK-së.

Në ditën e parë të gjyqit u shfaqën disa prova të prokurorisë në formë të komunikatave të UÇK-së, intervistave televizive, dokumentarëve e shënimeve personale të disa prej të akuzuarve.

REDAKSIA TVKLAN.AL