Klan News ka zbardhur disa prej emrave të rinj që pritet të emërohen drejtues të drejtorive vendore të Policisë së Shtetit. Drejtoria e Përgjithshme është drejt përfundimit të procesit për të zgjedhjen e drejtuesve të rinj.

Sipas burime pranë Policisë së Shtetit, në ditët në vijim pritet që Vilson Bala të emërohet drejtor i Policisë së Tiranës. Bala i cili më herët ka mbajtur pozicionin drejtues të komisariatit nr.6 në Tiranë dhe sektor të tjerë të Policisë së Shtetit, aktualisht është drejtues i Forcave Operacionale. Bala u rëndit i pari në listë me 91 pikë dhe do të zëvendësojë Tonin Vocajn i cili mban këtë post prej dy vitesh.

Në Durrës pritet të emërohet Fatmir Lleshaj, i cili është aktualisht Drejtor i Menaxhimit dhe Drejtimit në Policisë e Shtetit. Një tjetër emër që pritet të konfirmohet zyrtarisht në Berat është Elidon Çela, ish-drejtues i AMP-së Tiranë

Nr 2 i policisë së Tiranës, Luigj Vathi është përfolur si drejtues në Lezhë ose në Shkodër. Një tjetër emër i mundshëm për këto dy qarqe është edhe Gentian Berberi.

Elton Alushi, nga zv.drejtor pritet të marrë besimin për drejtimin e Vlorës. Ish-kandidati për drejtor të përgjithshëm, Altin Mena, pritet të emërohet në Elbasan. Emrat e rinj të drejtuesve të qarqeve pritet të zyrtarizohen të enjten pas përfundimit të afatit dy ditor të apelimit.

Klan News