Policia ka zbardhur ngjarjen e 31 Janarit në Fushë Krujë, ku një restoranti iu vendos tritol. Është arrestuar bashkëpunëtori në këtë krim, ndërsa është identifikuar autori i vendosjes së lëndës ekzploziv.

Policia ka bërë publike dhe pamjet e kamerave të sigurisë. Siç shihet në video, autori afrohet me hapa jo shumë të shpejtë. Me fytyrën e mbuluar e kostum sportiv veshur, ai nuk heziton ‘të përshëndesë’ me dorë nga kamerën.

Pasi vendos tritolin largohet i pashqetësuar. Disa metra më tutje e ka pritur bashkëpunëtori me një mjet, më të cilin janë larguar.

Si autor është identifikuar Mariglen Zalla, i cili është në kërkim, ndërsa forcat e rendit kanë arrestuar Mondi Topallin, që dyshohet se ka ndihmuar autorin për tu larguar.

Policia e Tiranës informon se gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Mariglen Zalla është gjetur një armë gjahu pa leje, një armë sportive dhe municion.

Pronari i biznesit që iu vendos lënda ekzploziv ka deklaruar në polici se nuk ka konflikte me njeri dhe nuk i di arsyet pse mund të ketë ndodhur ngjarja.

Klan News