Hungaria, e cila mban aktualisht presidencën gjashtëmujore të BE-së, ka konfirmuar edhe zyrtarisht vendimin unanim të marrë nga ambasadorët e 27 shteteve anëtare për thirrjen me 15 Tetor të konferencës së dytë ndërqeveritare me Shqipërinë ku edhe do të nisin negociatat faktike të anëtarësimit të vendit tonë.
Me anë të një letre drejtuar qeverive të shteteve anëtare presidenca hungareze konfirmon se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e grup kapitullit të parë i cili ka të bëjë me të drejtat themelore, prokurimet, statistikat, gjyqësorin, drejtësine, liritë individuale, sigurinë dhe kontrolli financiar. Për nisjen e negociatave faktike me vendin tonë edhe zëdhënësja e KE-së Ana Pisonero konfirmoi faktin se ndryshe nga Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë kusht shtesë.
“Qëndrimi i Komisionit Evropian është shumë i qartë. Ne presim që vendet anëtare të BE-së të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur negociatat për kapitullin e parë të grupit për çështjet bazë me Shqipërinë. Kur është fjala për Maqedoninë e Veriut, kjo duhet të ndodhë kur të ketë përmbushur të gjitha kushtet që janë vendosur nga Këshilli Evropian.”
Në Bruksel burime diplomatike konfirmojnë faktin se Shqipëria tani ka shansa të mëdha që deri në muajin Dhjetor mund të hapë edhe disa kapituj të tjerë.
Kjo vendimarrje e ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së dhe e konfirmuar zyrtarisht tashmë edhe nga presidenca hungareze nënkupton faktin se Shqipëria po ndahet në procesin e anëtarësimit nga Maqedonia e Veriut, e cila vazhdon të ketë probleme me Bullgarinë. Për shtetin fqinj shkak për shtyrjen e negociatave janë mosmarrëveshjet mes Shkupit dhe Bullgarisë për ndryshimin e kushtetutes maqedonase ku kërkohet që bullgarët të konsiderohen si komb shtetformues.
Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE në Korrik të vitit 2022 ndërkohë qe ka përmbyllur me sukses procesin ‘screening’. Qeveria shqiptare synon që brenda dy viteve në vijim të ketë realizuar disa konferenca ndërqeveritare me objektiv strategjik anëtarësimin e vendit në BE brenda vitit 2030.
Klan News