Dhimbja i lexohej në sy, e megjithatë me gjithë forcë, me duart që i dridheshin mbante të shtrënguar fort në kraharor fanellën e të vëllait. Anastasia Sadiku është motra e 12-vjeçarit nga Korça i cili humbi jetën tragjikisht në Pediatri.
Me lot, ajo rrëfen ditën kur Leo erdhi në shtëpi duke fluturuar nga gëzimi, skuadra e tij kishte fituar dhe ai kishte shënuar dy gola. Por, as Leo, e askujt tjetër nuk i shkonte kurrë nëpër mend se ajo ditë e gëzuar do të ishte fillimi i një fundi, fikja e një ëndrre. Jo vetëm dhimbja, por vendosmëria për drejtësi solli Anastasia Sadikun në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan.
Fanella që ajo mban shtrënguar ka portretin e Leos së vogël, të cilën ia kanë dhuruar shokët e ekipit. Ata shokë me të cilët Leo ndante fushën e gjelbërt, e që në një të ardhme mund të na bënte krenarë të gjithëve me talentin e tij.
Blendi Fevziu: Anastasia ajo është fanella e vëllait?
Anastasia Sadiku: Po ia kanë bërë shokët e ekipit. Ky është Leo që ndoshta do të ishte një futbollist shumë i mirë dhe ndoshta do e bënte krenar këtë vend.
Blendi Fevziu: Megjithatë ju duhet të gjeni forcë që ta kapërceni sepse asgjë nuk kthehet më mbrapa. Drejtësinë mund të kërkoni deri në fund.
Anastasia Sadiku: Unë do të gjej forcë vetëm kur të ketë drejtësi për vëllain tim, vetëm atëherë mund të kem forcë.
Blendi Fevziu: Ta kërkoni deri në fund.
Anastasia Sadiku tregon se nuk do të lërë ‘gur pa lëvizur’ derisa drejtësia për vëllain e saj të vendoset në vend. Në fakt ajo ishte e gatshme që pjesën e tretë të emisionit “Opinion” të ballafaqohej me një prej mjekëve të QSUNT. Por, mjeku anuloi prezencën e tij vetëm 30 minuta para transmetimit të emisionit, megjithëse konfirmimi për pjesëmarrjen e tij ishte marrë në rrugë institucionale./tvklan.al