Ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, shoqëruar nga prokurorët e Prokurorisë së Tiranës dhe në prezencë të familjarëve të 12-vjeçarit, L.S., zhvarrosën trupin e pajetë të tij për t’iu nënshtruar autopsisë. Kujtojmë se i mituri humbi jetën tragjikisht më 8 Janar të këtij viti në QSUT.
Ekspertët do të marrin mostra nga trupi i 12-vjeçarit dhe më pas do të dërgohen për ekspertim në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të zbuluar shkakun e vdekjes. Mjekët e QSUT–së deklaruan se L.S ndërroi jetë si pasojë e miokardit akut. Mirëpo familjarët e viktimës kanë ngritur pretendime të tjera. Ata akuzojnë mjekët për neglizhencë në trajtim.

Siç bën me dije gazetarja Daniela Zisi, fillimisht pas vdekjes së 12-vjeçarit, familjarët refuzuan kryerjen e autopsisë, por më pas, me nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës, e cila është kompetente për rastin, u vendos për kryerjen e autopsisë.
Reagimet e familjarëve kanë qenë të vazhdueshme. Madje ata protestuan duke kërkuar që hetimi të bëhet i plotë dhe të përcaktohet shkaku i vdekjes së 12-vjeçarit nga fshati Pocestë i Maliqit.
Familjarët duan drejtësi
Më 6 Shkurt, motra e 12-vjeçarit, Anastasia Sadiku rrëfeu në emisionin “Opinion” në Tv Klan se si e humbi vëllanë, sipas saj, “prej neglizhencës totale të mjekëve për simptomat e tij”.
Sadiku tha se mjekët në Shqipëri pretenduan se i mituri kishte virozë, ndërkohë që bluzat e bardha në Greqi, Itali e Gjermani konfirmuan se bëhej fjalë për infeksion bakterial. Sipas saj, i vëllai nuk kishte pasur asnjëherë më parë probleme me shëndetin e se madje luante futboll, ëndërr që iu pre në mes.
(Dëshmia e motrës në “Opinion”)
Rasti i rëndë u shënua me 8 Janar, por prej ditësh i mituri kishte pasur shqetësime. Pas kurimeve që nuk sollën asnjë rezultat në Korçë, familja e solli 12-vjeçarin në Tiranë. Por edhe këtu, sipas tyre, nuk është ekzaminuar siç duhet.
“E priti si fillim urgjenca pediatrike [në Tiranë]. Kemi pritur për rreth 20 minuta në hollin e urgjencës pediatrike që të kalonte nga urgjenca pediatrike në pavijonin e endokronologjisë. Aty vëllait tim nuk i është bërë asnjë lloj ekzaminimi përveç një grup analizash gjaku dhe matje diabeti. Kaq. Mami gjithmonë insistonte. Në orën 5:00 ka thënë ka të nxira te gishtat, këmbët i ka të ftohta, duart i ka të ftohta dhe ato thonin i ka të ftohta se i mban jashtë se s’ka ngrohëse spitali”, tha Anastasia Sadiku në emisionin “Opinion”.
(Dëshmia e motrës në “Opinion”)
Anastasia Sadiku tregoi se nuk do të lërë ‘gur pa lëvizur’ derisa drejtësia për vëllain e saj të vendoset në vend./tvklan.al