Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Vdekja e 12 vjeçarit te Pediatria, rrëfimi prekës i motrës në “Opinion”: Mjekët e neglizhuan, dua drejtësi!
“Dua drejtësi për vëllain tim”, kështu është shprehur mes lotësh motra e 12 vjeçarit nga Maliqi i cili ndërroi jetë orët e para të 8 Janarit 2025, në spitalin Pediatrik të Tiranës. Anastasia Sadiku ka rrëfyer këtë të Enjte në “Opinion” se e humbi vëllanë e saj “prej neglizhencës totale të mjekëve për simptomat e tij”.
E reja thotë se mjekët në Shqipëri pretenduan se i mituri kishte virozë, ndërkohë që bluzat e bardha në Greqi, Itali e Gjermani kanë konfirmuar se bëhej fjalë për “infeksion bakterial”. Sipas Anastasias, Leo nuk kishte pasur asnjëherë më parë probleme me shëndetin e se madje luante futboll, ëndërr që fatkeqësisht iu pre në mes.
Blendi Fevziu: Në çfarë rrethanash ka ndodhur?
Anastasia Sadiku: Në datën 28 Dhjetor, Leo kishte ndeshje futbolli sepse luante futboll. Në darkë, tha nesër nuk fitojmë se ata janë ekip i fortë dhe kur u kthye ishte gëzuar shumë se kishte bërë dy gola. Për ironi të fatit ishin golat e tij të fundit, sepse ëndrra e tij u la përgjysmë. Në mbrëmje, në datë 28 ndihet keq, ankohej për dhimbje barku, qëndroi në shtëpi me idenë që mos është ftohur, mami thotë shkojmë në spital mos ka konsumuar diçka dhe e ka helmuar. Shkojnë në Urgjencën Pediatrike në Korçë dhe mjeku thotë janë shenja viroze, asgjë shqetësuese. I jep medikamentet dhe i përcjell për në shtëpi. Thotë nëse ka të vjella, do e risjellësh. Gjatë natës ka qenë mirë. Në datën 29 në mëngjes po ankohej përsëri dhe pati të vjella. Shkojnë në spital, një mjek tjetër vendos që ta shtrojë. Gjendja deri në 31, ishte diarre, dhimbje barku dhe temperaturë. Në 29 i kanë bërë analiza gjaku dhe urinë, asnjë ekzaminim tjetër.
Blendi Fevziu: Mbase ky është protolkolli…
Anastasia Sadiku: Kartela ka shkuar edhe në mjekë jashtë vendit, nga rezultatet ai kishte infeksion bakterial. Jo virozë! Kemi çuar kartelën në Greqi, Itali dhe Gjermani. Në datë 31 ishte në spital vëllai. Tha është nata e vitit të ri, po qante, dua të ndez fishekzjarret tha. Mami i thotë që do qëndrojmë këtu nëse s’jemi mirë. Futet mjeku dhe i thotë që s’është mirë që të dalë sepse kishte temperaturë. Do e shohim deri pasdite dhe nëse gjendja stabilizohet, mund të dalim tha mjeku. Nga darka, rreth orës 20:20, ankohej përsëri dhe tha mami shkojmë në spital se nuk po ndihem mirë. Shkojnë paditen e 31-it, ishte një mjeke tjetër, thotë që viroza do bënte ciklin e vet dhe e përcolli për në shtëpi. Mori antibiotikët nga data 1 deri në 5 Janar. Në datë 7 tha mami t’i bëjmë një kontroll përsëri. Kishte djegie në bark dhe e vendoste dorën te barku. Në datën 7 në mëngjes, Leo flinte me vëllain tjetër. Ai vjen e thotë hajdeni se Leo po vjell. Kishte vjell hemoragji. Mami nuk ishte e bindur se ishte hemoragji se volli në një vend të papërshtatshëm, më pas e kuptoi…
Në datën 7 erdhëm në Tiranë. Ka qenë në reanimacion në Korçë, ata vunë re glicemi të lartë, bënë disa matje analizash për diabetin dhe thanë është më mirë të shkojë në Tiranë. Ata nuk u morën fare me të vjellën. Në 7 Janar në orë 16:00 e kanë sjellë në Tiranë. Si fillim e priti Urgjenca Pediatrike, kemi pritur 20 minuta në holl. Aty vëllait nuk i është bërë asnjë ekzaminim, përveç matje diabeti dhe analiza gjaku. Këmbët e duart i kishte të ftohta dhe gishtat e nxirë. Ndërroi jetë në orën 01:45 të datës 8 Janar. 7 orë ka qënduar në Tiranë.
Theksojmë se moderatori Blendi Fevziu kishte planifikuar të dëgjonte sonte edhe versionin e mjekut të QSUT-së që ka marrë përsipër rastin, por ky i fundit “ka lajmëruar gjysmë ore para emisionit se nuk do të jetë prezent.”
“Një prej gjesteve që asnjë person nuk e nderon”, tha Fevziu.
“Ka të nxira te gishtat”, trondit motra e Leos: E mbajtën 7 orë, mjekët na thonin që është mirë
Një rast tronditës u shënua më 8 Janar të këtij viti kur Leo, vetëm 12 vjeç, humbi jetën në spital. Mjekët thanë se i mituri ndërroi jetë si pasojë e miokardit akut. Por ky version nuk bind familjarët. E motra e të voglit, Anastasia Sadiku, ishte këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku tha se gjithçka ndodhi si pasojë e neglizhencës së mjekëve.
“Neglizhencë totale nga mjekët për simptomat që ai kishte. Neglizhencë totale. Ekzaminimet i kemi çuar jashtë. Vëllai im ka pasur infeksion bakterial, jo virozë. Ata e trajtuan vëllain për një virozë. Tirana e mbajti 7 orë aty vëllain tim dhe ne familjarët na thonin që gjendja është e mirë mos u shqetësoni, do kalojë”, u shpreh Anastasia.
Ajo tha se pasi u kurua fillimisht në Korçë, mjekët e sollën në Tiranë, por edhe këtu nuk është ekzaminuar siç duhet. Pavarësisht se e ëma i ka thënë doktorëve që djalit kishin nisur t’i nxihen gishtat dhe se këmbët e duart i kishte të ftohta, Leos nuk i janë bërë analizat siç duhet.
“E priti si fillim urgjenca pediatrike [në Tiranë]. Kemi pritur për rreth 20 minuta në hollin e urgjencës pediatrike që të kalonte nga urgjenca pediatrike në pavijonin e endokronologjisë. Aty vëllait tim nuk i është bërë asnjë lloj ekzaminimi përveç një grup analizash gjaku dhe matje diabeti. Kaq. Mami gjithmonë insistonte. Në orën 5:00 ka thënë ka të nxira te gishtat, këmbët i ka të ftohta, duart i ka të ftohta dhe ato thonin i ka të ftohta se i mban jashtë se s’ka ngrohëse spitali”, tha Anastasia.
Më pas Leo ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të datës 8 Janar.
“Nga ora 4:00 deri në orën 12 të natës ka qenë në pavijon dhe nga 12 e natës deri në orën 1:45 në reanimacion”, tha motra e tij.
Anastasia Sadiku u shpreh se prokuroria ka nisur hetimet dhe familja e Leos kërkon drejtësi.
“Unë dua drejtësi për vëllain tim ishte 12 vjeç, kishte gjithë jetën para. Drejtësi, në një mënyrë apo tjetër unë drejtësinë për vëllain tim do e kërkoj”, tha e reja.
“Nuk kanë bërë asgjë. Si mund ti venë diagnozë miokardit akut kur nuk kanë bërë as një EKG, as një matje tensioni, as një lloj gjëje. Si mund të nxjerrin ata atë diagnozë. Edhe nëse e ka pasur miokardin akut, çfarë bënë ata? Ata nuk bënë asgjë, asnjë përpjekje. Nuk bënë asnjë lloj gjëje”, shtoi më tej ajo referuar mjekëve.
Me fanellën e të vëllait shtrënguar në kraharor, rrëqeth motra e 12-vjeçarit: Ky është Leo…
Dhimbja i lexohej në sy, e megjithatë me gjithë forcë, me duart që i dridheshin mbante të shtrënguar fort në kraharor fanellën e të vëllait. Anastasia Sadiku është motra e 12-vjeçarit nga Korça i cili humbi jetën tragjikisht në Pediatri.
Me lot, ajo rrëfen ditën kur Leo erdhi në shtëpi duke fluturuar nga gëzimi, skuadra e tij kishte fituar dhe ai kishte shënuar dy gola. Por, as Leo, e askujt tjetër nuk i shkonte kurrë nëpër mend se ajo ditë e gëzuar do të ishte fillimi i një fundi, fikja e një ëndrre. Jo vetëm dhimbja, por vendosmëria për drejtësi solli Anastasia Sadikun në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan.
Fanella që ajo mban shtrënguar ka portretin e Leos së vogël, të cilën ia kanë dhuruar shokët e ekipit. Ata shokë me të cilët Leo ndante fushën e gjelbërt, e që në një të ardhme mund të na bënte krenarë të gjithëve me talentin e tij.
Blendi Fevziu: Anastasia ajo është fanella e vëllait?
Anastasia Sadiku: Po ia kanë bërë shokët e ekipit. Ky është Leo që ndoshta do të ishte një futbollist shumë i mirë dhe ndoshta do e bënte krenar këtë vend.
Blendi Fevziu: Megjithatë ju duhet të gjeni forcë që ta kapërceni sepse asgjë nuk kthehet më mbrapa. Drejtësinë mund të kërkoni deri në fund.
Anastasia Sadiku: Unë do të gjej forcë vetëm kur të ketë drejtësi për vëllain tim, vetëm atëherë mund të kem forcë.
Blendi Fevziu: Ta kërkoni deri në fund.
Anastasia Sadiku tregon se nuk do të lërë ‘gur pa lëvizur’ derisa drejtësia për vëllain e saj të vendoset në vend. Në fakt ajo ishte e gatshme që pjesën e tretë të emisionit “Opinion” të ballafaqohej me një prej mjekëve të QSUNT. Por, mjeku anuloi prezencën e tij vetëm 30 minuta para transmetimit të emisionit, megjithëse konfirmimi për pjesëmarrjen e tij ishte marrë në rrugë institucionale./tvklan.al