Sudan është në një pikë tejet kritike. Pas 17 muajve lufte civile brutale në të gjithë vendin, ushtria ka vërshuar në kryeqytet, Khartoum, duke targetuar zona që janë në duart e ‘rivalëve’. Këto të fundit janë anëtarë të forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë. Siç shkruajnë mediat e huaja, këto forca kanë nën kontroll pjesën më të madhe të Khartoum që nga fillimi i konfliktit, ndërsa Ushtria ‘zotëron’ qytetin e Omdurman. Rreth 10.5 milionë njerëz e kanë braktisur vendin.

Gazetarët që kanë guxuar të shkojnë e të shohin situatën nga afër, raportojnë se shumë prej burrave nuk dalin nga shtëpia. Kjo sepse luftëtarët e RSF-së i dhunojnë, u marrin paratë dhe i kërcënojnë.

“Kemi nevojë për ushqim, jemi të uritur”, thonë ata.

Nga ana tjetër, gratë e zonës “shpërthejnë” në lot, duke bërë vetëm një pyetje: Ku është bota, pse nuk na ndihmojnë?! Përpos ‘kaosit’ të krijuar, problemi më shqetësues qëndron te përdhunimi i grave çdo ditë. Dhuna seksuale është kthyer në një ‘tipar identifikues’ për këtë shtet. Komisioneri i Lartë për Të Drejtat e Njeriut në SHBA, Volker Turk thotë se “përdhunimi po përdoret si armë lufte”.

BBC sjell historinë e Miriam, një prej grave që ka përjetuar tmerr në vendlindjen e saj, e pas shumë vuajtjesh ia doli të ikte si refugjate. Ajo rrëfen se dikur dy burra të armatosur u futën në shtëpinë e saj dhe tentuan t’i përdhunonin dy vajzat, 17 dhe 10 vjeç.

“I vura vajzat pas meje dhe u dola përballë. Nëse doni të përdhunoni, bëjeni me mua”, tregon Miriam. E fatkeqësisht ashtu ndodhi… Në shumë raste, vajzat e mitura sjellin në jetë edhe fëmijë, si produkt i këtyre përdhunimeve. Hetuesit ndërkombëtarë po merren me këtë çështje, megjithatë është tejet e vështirë të merren masa në një shtet që ka shkuar drejt degradimit social e jo vetëm.

/tvklan.al