Rreth 370 milionë vajza në mbarë botën janë përballur me dhunë seksuale. Një raport i UNICEF tregon se një në tetë vajza preket nga përdhunimi ose sulmi seksual para moshës 18 vjeç.
“Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është një njollë në ndërgjegjen tonë morale. Shkakton trauma të thella, shpesh nga dikush që fëmija njeh dhe i beson, në vende ku duhet të ndihet i sigurt,” tha në një deklaratë drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.
Raporti i UNICEF-it ka mbledhur të dhëna nga 120 vende të kryera midis 2010 dhe 2022. Nëse merren parasysh abuzimet online dhe verbale numri i vajzave të prekura shkon në 650 milionë.
Afrika Sub-Sahariane kishte numrin më të madh të viktimave me 79 milionë vajza të prekura, e ndjekur nga 75 milionë në Azinë Lindore dhe Juglindore dhe më pas 68 milionë në Europë dhe Amerikën e Veriut.
Dhuna seksuale është veçanërisht e lartë, sipas studimit, në zonat ku siguria është e brishtë. Djemtë janë gjithashtu në shënjestër, raportoi UNICEF. Rreth një në 11, ose midis 240 milionë deri në 310 milionë, djem përjetojnë përdhunim ose sulm seksual gjatë fëmijërisë së tyre.
Klan News