Ndonëse fenomeni i armëmbajtjes pa leje goditet nga policia, sërish vijon të jetë në nivele shqetësuese. Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë një takimi teksa tha se 1/3 e vrasjeve të ndodhura vitin e shkuar, ishin krime në familje, gjatë 4 mujorit të parë të këtij viti, shifrat janë më të larta.
“E vërteta është që kemi një përmirësim të dukshëm gjatë bile dhe të fundit sa i përket jetëve të humbura, për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit, duke e çuar tashmë Shqipërinë në një nivel të mesatares evropiane. Por unë fokusin e kam tek ngjarjet kriminale, të cilat kanë në bazën e tyre, edhe dhunën me bazë gjinore.”
Sipas ministrit Balla, në më pak se 1 vit ka patur një numër të lartë armësh zjarri dhe të ftohta të bllokuara nga policia.
“Më lejoni t’ju informoj se janë më shumë se 415 armë zjarri të sekuestruara në cilësinë e provës materiale dhe mbi 500 armë të tjera të ftohta, që tregon për një prezencë të madhe të armëve në duart e qytetarëve, por që na shton angazhimin tonë kundër fenomenit armëmbajtjes pa leje, i cili mbetet një prej burimeve kryesore të ngjarjeve të rënda kriminale.”
Me qëllim parandalimin e rreziqeve që vijnë nga fenomeni i armëmbajtjes pa leje, ministria e Brendshme, OSBE dhe disa organizata nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, që konsiston në realizimin e fushatave kombëtare ndërgjegjësuese.
Klan News