Gjigandi botëror i teknologjisë, Apple po përballet me kritika të forta për videon e tij të marketingut për një nga pajisjet më të reja që ka nxjerrë në treg.

Videoja reklamuese e cila kishte për synim promovimin e një iPad të gjeneratës së re me teknologjinë e fundit u diskutua së shumti. Videoja parimisht nuk përbën asnjë problem sepse synonte vetëm marketing. Por a ka zgjedhur Apple mënyrën e gabuar për të bërë reklamë? Klientët më besnikë të saj, por jo vetëm mendojnë që po.

“Është një reklamë zemërthyese, e pakëndshme dhe egoiste. Kur shoh këtë rezultat më vjen turp të blej produktet e Apple që prej 19 vjetësh,” komenton një klient në videon e shpërndarë.

Konteksti me të cilën është vendosur promovimi i produktit teknologjik është kritikuar nga shumë klientë sidomos nga figurat më në zë të botës së artit. Në videon e fundit të postuar në rrjetin social “X” nga vetë shefi i kompanisë Tim Cook që ka marrë afro 50 mijë shikime, ndjekësit jo vetëm që nuk janë shprehur të entuziazmuar për produktin e ri të Apple, ose të ishin duke pritur në radhë të gjata në dyqanet e licencuara nga kompania për ta bërë të tyren pajisjen më të re të prodhuar, por faktikisht janë shprehur shumë të zhgënjyer nga Apple duke e kritikuar për mesazhin që video përcjell.

Në videon e publikuar duken një sërë pajisjesh si libra, mjete muzikore dhe shumë sende të tjera të cilat për disa persona përfaqësojnë pasion, argëtim, por për disa të tjerë edhe mbijetesë, apo punë. Të gjitha këto sende të rreshtuara në video shtypen nga një makinë hidraulike dhe kuptohet se zëvendësohen nga një pajisje e vetme që është iPad i prodhuar nga kompania.

“U trishtova kur pashë që po shkatërroheshin mjete krijuese si instrumente muzikore dhe kamera. Nuk mendoj se krijuesit do ta pëlqejnë këtë. A është ndjeshmëria ime japoneze që më bën të ndjehem kështu?”– komenton një tjetër.

“Shtypje simbolike e krijimtarisë njerëzore dhe arritjeve kulturore profesionale, bukur! Ndoshta për promovimin e Apple Watch Pro, duhet të shtypni pajisje sportive, të krijoni një robot që vrapon më shpejt se një burrë, ose pastaj t’i drejtoheni kamerës dhe të thoni: ‘Zoti ka vdekur dhe ne e kemi vrarë atë”, shkruan i revoltuar një përdorues.

Për Apple videoja tregon vetëm se pajisja e prodhuar do t’u mundësojë përdoruesve të saj të lexojnë libra, të dëgjojnë muzikë, të argëtohet, të komunikojnë edhe shumë të tjera.

Por shumica e njerëzve janë të mendimit se kompanitë e prodhimit të pajisjeve teknologjike duhet që t’i ndërgjegjësojnë ata të bëjnë balancë mes aktiviteteve në realitet dhe atyre përmes ekranit, dhe jo të krijojnë mënyra që t’i nxisin për të bërë zëvendësime. Vrulli i kritikave mendohet të jetë nxitur edhe nga frika e njerëzimit për rrezikun që po sjell inteligjenca artificial, pasi çdo ditë e më shumë krahu i punës dhe mendësia njerëzore po zëvendësohet nga AI.

Pas kritikave të bujshme ditën e sotme Apple ka reaguar duke u kërkuar falje klientëve të saj për videon e postuar të kompanisë.

“Qëllimi ynë është që të festojmë një mori mënyrash se si përdoruesit shprehen dhe sjellin idetë e tyre në jetë përmes iPad. Ne e humbëm qëllimin me këtë video, dhe na vjen shumë keq,” citoi “Ad Age” të jetë shprehur prodhuesi i iPhone./tvklan.al