Shqipëria turistike vazhdon të jetë në qendër të vëmëndjes te mediave britanike. Kësaj here është e përditshmja “Express” ajo që nënvizon se Shqipëria është kthyer tashmë në destinacionin popullor për vizitorët britanikë, duke lënë pas Spanjën dhe Portugalinë.

Për këtë kjo media i referohet të dhënave që gjenerohen nga kërkimet në internet, ku Shqipëria renditet në vendin e parë si destinacioni më i preferuar nga britanikët për të kaluar pushimet dhe i katërti më i kërkuar duke marrë parasysh opsionet e tyre të udhëtimit.

Më konkretisht “Express” shkruan se në total në Britani, në vitin 2024 u regjistruan plotë 504,000 kërkime për termin “Pushime në Shqipëri”.

Në artikull evidentohet vija bregdetare në Jon dhe Adriatik, të cilat ofrojnë plazhe të veçanta, por edhe qytete historike që pasurojnë edhe më shumë itenerarin e udhëtimit.

Edhe Revista prestigjioze “Condé Nast Traveller Germany” e rendit Shqipërinë si një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit në Europë. E cilëson si vendi i përvojave autentike të natyrës së egër, veçon mikpritje dhe shkruan për Vjosën si kartëvizitë unikale e natyrës në Shqipëri.

Për shkrimin reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, të cilin e ndau në rrjetin e tij “Facebook”.

Tv Klan