Republikani Fatmir Mediu i cili prej 11 javësh i është bashkuar kauzës së opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme thotë se ka ende shanse për dialog mes palëve. Pas një takimi afro 60 minuta që zhvilloi me ambasadorin amerikan Donald Lu Mediu mohoi që t’i ishte kërkuar nga diplomati amerikan që PR-ja të hyjë në zgjedhje edhe pa Partinë Demokratike.
Fatmir Mediu
“
Patëm një diskutim me Ambasadorin Lu për situatën që nuk ka të bëjë as me kërkesën e zotit Lu për të hyrë në zgjedhje por si mundet që palët të zhvillojnë një dialog konstruktiv që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe besoj që kjo është rruga më e arsyeshme që ne të vazhdojmë dialogun për të gjetur ato pika të komunikimit të përbashkët dhe të zgjidhjes që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë.
Pavarësisht dështimit të negociatave të kryesuara nga dy eurodeputetët Mc Alister dhe Flekeinstein për të ulur në një tryezë Ramën e Bashën, Mediu thotë se ka ende shance për vendosjen e dialogut.
“Mendoj se gjithmonë ka shanse për dialog sa kohë jemi të përgjegjshëm që duhet të bëjmë më të mirën për vendin dhe jo për interesa jo normale të pushtetit”.
Takimi i Mediut me ambasadorin Lu vjen pas vizitës që kreu i republikanëve zhvilloi në Shtetet e Bashkuara, ku njohu disa kongresmenë me zhvillimet në Shqipëri.
Tv Klan