Çmimi “Mësuesi i vitit 2020” i është dhënë Ranjitsinh Disale për punën e tij duke ofruar ndihmën për të gjitha vajzat nga komunitetet e varfra fisnore në një shkollë fshati në Indinë perëndimore. Disale menjëherë njoftoi se do të ndante çmimin prej 1 milion dollarësh me nëntë finalistët e tjerë. Sipas tij secili do të marri nga 55 mijë dollarë.

Ai u nderua me motivacionin “transformimin e shanseve” të vajzave në shkollën fillore Zilla Parishad në Maharashtra. Çmimi u krijua nga Fondacioni Varkey në bashkëpunim me UNESCO. Njoftimi u bë nga aktori dhe shkrimtari Stephen Fry në një ceremoni virtuale të transmetuar nga Muzeu i Historisë Natyrore në Londër. Disale e mori lajmin teksa ndodhej në shtëpi në Indi, i rrethuar nga familja e tij.

Ai filloi të jepte mësim në shkollë në 2009 në një ndërtesë të shkatërruar pranë një  stalle bagëtish. Frekuentimi i shkollës ishte i ulët dhe martesa në periudhën e adoleshencës ishte një fenomen shumë i zakonshëm. Më pas Disale u zhvendos në fshat, mësoi anglishten dhe përktheu librat shkollorë të klasës. Ai gjithashtu krijoi edhe disa programe për secilin student. Sistemi i tij i librave shkollorë të koduar QR tani përdoret në të gjithë Indinë.

Frekuentimi i shkollës është tani në masën 100%  dhe sipas mësuesit një vajzë nga fshati aktualisht quhet e shkolluar pasi ka mbaruar edhe universitetin. Disale gjithashtu krijoi edhe projekte mjedisore. Në projektin e  tij “Le të Kalojmë Kufijtë” morën pjesë të rinj nga India dhe Pakistani, Palestina, Izraeli, Iraku, Irani, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut për të promovuar paqen dhe mbajtjen pastër të mjedisit në të gjithë botën.

Klan Plus