Qeveria ndërpret procesin e dhënies me koncesion në partneritet me privatin të aksit rrugor Thumanë-Kashar. Lajmin e njoftoi ministrja e re Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila sqaroi se fondi i kësaj rruge do të shkojë për të financuar një pjesë të angazhimeve të marra të institucionit që ajo drejton për Paktin me Universitetin.
“Kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit publik-privat për aksin Thumanë-Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit të angazhimeve për Paktin e Universitetit, në fushën e infrastrukturës arsimore, qoftë asaj dixhitale dhe qoftë asaj fizike”.
Projekti prej 20.8 kilometrash që do të lidhte Thumanën me Kasharin u fitua në muajin Korrik nga kompania ‘Gener 2’, për një vlerë zbatimi të tij prej 225.8 milionë Eurosh, e cila më parë kishte bërë edhe ofertën e pakërkuar dhe ishte shpërblyer nga qeveria me 8.5 përqind bonus në garë. Por pavarësisht se pjesa e interesave që do të paguajnë shteti shqiptar për këtë aks do të shkojë për financimin e Paktit me Universitetet, Belinda Balliku tha se kjo rrugë sërish do të ndërtohet.
“Natyrisht ne nuk do të heqim dorë nga ndërtimi i këtij aksi të rëndësishëm kombëtar, aq më tepër që projekti është gati. Ky aks ka një rëndësi shumëfishe dhe jemi duke studiuar përfshirjen e tij në projektin e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës, ku në fazën e tij të parë parashikohet ndërtimi i aksit Tiranë-Ndroq-Plepa, dhe në fazën e dytë ndërtimi i aksit Kashar-Rrogozhinë. Ideja është që pikërisht këtij aksi t’i shtohet dhe aksi Thumanë-Kashar, i cili garanton qoftë hyrjen e shpejtë në Tiranë nga veriu dhe qoftë aksesin më të shpejtë nga veriu drejt jugut gjatë sezonit turistik. Pra, si përfundim Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tërhiqet nga partneriteti publik privat për ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar dhe fondi i parashikuar i vihet në dispozicion nga qeveria Paktit për Universitetin”.
Tenderi për Thumanë – Kashar ka përfunduar dhe qeveria ishte në proces të firmosjes së kontratës me kompaninë ‘Gener 2’. Kompania në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj, sipas Zërit të Amerikës dhe një investigimi të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN), dyshohet të jetë e lidhur me kompaninë “DH Albania”, e cila fitoi dy tendera me OST dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar me vlerë totale 30 milionë Euro, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve.
Tv Klan