Pas dy ditë diskutimesh maratonë Parlamenti miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2025.
Nga 116 deputetë, ky projekt mori votat e socialistëve, 40 deputetë votuan kundër, ndërsa 22 deputetë edhe pse të pranishëm në sallë nuk morën pjesë në votim.
Për socialistët ky projektbuxhet garanton rritje ekonomike të sigurtë. Ndërsa për demokratët ky buxhet nuk u përket qytetarëve. Në jo pak raste gjatë seancës pati edhe fyerje mes palëve
Buxheti i vitit 2025, konsiderohet 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, duke planifikuar 822 miliard Lekë shpenzime, ndërsa totali i të ardhurave arrin në 750 miliard Lekë. Në trend pozitiv parashikohet edhe rritja ekonomike që synon të shkojë në nivelin e 3.9 përqind në vit.
Pjesa më e madhe e buxhetit për vitin 2025 do shkojë për infrastrukturën rrugore, mes të cilës janë parashikuar të financohen tre kontrata koncensionare, si dhe 11 projekte rrugore e hekurudhore.
Sakaq buxheti parashikon fondet për indeksim dhe bonusin e pensionistëve, ndërsa nuk parashikon rritje pagash.
Teksa diskutohej brenda sallës së seancave parlamentare, mbështetës të opozitës, protestuan jashtë godinës kundër buxhetit të vitit 2025.
Pas miratimit në parim, projektbuxheti pritet të miratohet edhe në tërësi, në një tjetër seancë parlamentare.
Klan News