164 mijë persona me aftësi të kufizuara në Shqipëri do të kenë mbështetje me buxhetin 2025. Është ky njoftimi që ka bërë vetë kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm në rrjetin e tij social Facebook.
Ai shkruan se “Programi i Mbrojtjes Sociale synon të përmirësojë cilësinë e jetës këtë kategori, duke u ofruar jo vetëm ndihmë ekonomike, por edhe mbështetje për përfshirjen sociale dhe akses në shërbime të specializuara”.
“Punojmë për një Shqipëri me më shumë dinjitet e humanizëm”, thotë Rama.
Kujtojmë se buxheti për vitin e ardhshëm u miratua më 3 Dhjetor, pas një sërë debatesh në Kuvend. Megjithatë, kreu i qeverisë ka deklaruar se fushat prioritet për mbështetje financiare janë pensionistët, arsimi e infrastruktura. Synohet po ashtu një ndryshim rrënjësor i skemës për sigurimet shoqërore.
Vlera e buxhetit 2025 parashikohet të jetë rreth 8 mld Euro, 3 herë më i lartë se ai në vitin 2013.
Ka nisur edhe shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët, i cili këtë herë erdhi i trefishuar, ndërkohë që kryeministri ka bërë me dije se do të ketë një të tillë edhe në pranverë.
/tvklan.al