“Nuk janë probleme psikologjike, por nervore”
Covid lë pasoja afatgjata në sistemin nervor. Dy vite që nga nisja e pandemisë, mjekët thonë se tashmë kjo është e konfirmuar. Shefi i shërbimit neurovaskular, Eris Ranxha thotë se po vihen re raste të shpeshta me probleme neurologjike.
“Është konfirmuar tashmë që pothuajse i gjithë sistemi neurologjik preket në të gjitha hallkat e tij që nga çrregullimet e sjelljes deri tek prekjet neurologjike të mirëfillta, duke ndodhur incidente ishemike, hemorragjike. Vuajtje të sistemit nervor që kontrollon gjymtyrët dhe me kalimin e kohës është vënë re që kohëzgajtja e tyre nuk është shkurtwr”, tha Eris Ranxha, shef i Shërbimit Neurovaskular, QSUT.
Por a janë kalimtare këto pasoja?
“Nëse nuk keni dëmtim organik të gjitha simptomat janë të rikthyeshme”.
Rastet më të shpeshta janë tek pacientët me sëmundje bashkëshoqëruese dhe tek ata që e kanë kaluar më rëndë Covid.
“Është e konfirmuar tashmë që pacientët që kalojnë Covid me sëmundje në spital zgjatin në distancë probleme të tilla dhe shfaqin probleme të mirëfillta të memories dhe ata që shfaqin probleme të përqendrimit. Në grupmoshat e tjera ka dy kritere që përcaktojnë prekjen edhe ecurinë e sëmundjes që ka të bëjë me sëmundjet bashkëshoqëruese që ka subjekti me Covid dhe hospitalizimi sa kohë që qëndron i hospitalizuar”.
Bluzat e bardha rekomandojnë për pacientët që e kalojnë në gjendje të rendë Covid të mbajnë kontaktet me mjekun e familjes për ecurinë e gjendjes shëndetësore.
Tv Klan