Eurodeputetët e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian i kanë kërkuar shefes së diplomacisë europiane Federica Mogherini të qartësojë nëse në Qershor do të ketë hapje të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Mogherini ka shprehur angazhimin e saj personal që kjo të ndodhë, duke artikuluar se do jetë një gabim i madh strategjik dhe një provë dritëshkurtësie nëse vendimi shtyhet ose nuk merret.
“Shumë nga ju përmendën vendimin që Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian mori pas rekomandimit të Komisionit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Qershor të këtij viti. Mund t’ju them që unë angazhohem personalisht që kjo të ndodhë në Qershor pa shtyrje në bazën e punës së kryer. Ne kemi thënë që është një proces bazuar në meritë, atëherë ne duhet të konsiderojmë meritën. Mendoj se do jetë një gabim i madh strategjik dhe një provë dritëshkurtësie nëse vendimi shtyhet ose nuk merret në bazë të vlerësimit të meritës”.
Kjo ishte seanca e fundit plenare për këtë legjislacion të Parlamentit Europian. Debati i zhvilluar me Komisionin e Punëve të Jashtme dhe atë të Zhvillimit është kryer në kuadër të bilancit të 5 viteve të politikës së jashtme, të sigurisë, por edhe asaj të fqinjësisë dhe zgjerimit me përfaqësuesen e lartë të politikës së jashtme të BE-s,ë Federica Mogherini, që mbaron mandatin e saj në Tetor të këtij viti.
Tv Klan