Pas denoncimit nga emisioni investigativ “Stop,” ndaj dy zyrtarëve të Institutit të Sigurimeve Shëndetësore në Durrës, drejtorit juridik Isa Sejko dhe arshivistes Ardiana Nazexhi janë lëshuar dy fletë-arreste. Gjykata miratoi kërkesën e prokurorisë për këta dy shtetas, për masën e arrestit me burg.

Përmes një kamere të fshehtë, emisioni “Stop” dokumentoi momentin kur juristi Sejko pranoi një ryshfet prej 500 mijë lekësh të vjetra nga një qytetar që po përgatiste dosjen për pension invaliditeti. Qytetari, Vladimir Bajlozi banor i Sukthit, kishte hasur vështirësi për të gjetur vitet e punës, që i mungonin për periudhën 1985-1994 dhe iu drejtua ISSH-së Durrës për ndihmë.

Pasi iu sugjerua të konsultohej me juristin, ai mori kontakt me Sejkon, i cili i kërkoi ryshfet për të zgjidhur çështjen pa qenë nevoja të ndiqej procesi gjyqësor. Bajlozi vendosi të denoncojë rastin tek emisioni “Stop.” Prokurorja e Durrësit, Englantina Shehu, pas transmetimit të kamerës së fshehtë nga “Stop”, nisi ndjekjen penale dhe urdhëroi arrestimin e zyrtarëve./tvklan.al