Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka dhënë një intervistë ekskluzive sonte për “Opinion” ku flet për karrierën e tij diplomatike dhe ushtrimin e detyrës aktuale. Vitin e shkuar, Hasani ishte kandidati i vetëm zyrtar për Sekretar të Përgjithshëm në OSBE. Por si u vendos që vendi ynë të marrë pjesë në këtë garë?
“Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë pati një moment të vështirë në lidershipin e vet, pamundësinë për vazhdimin e mandatit të atyre që po e drejtonin. Kryesia malteze e OSBE-së vendosi hapjen e një gare, garë e cila u hap në muajin Qershor të këtij viti, në mënyrë që të kishte boshllëk në lidership. Në asnjë moment s’e kisha menduar që do t’i rikthehesha organizatës në asnjë lloj formati, kam punuar para se të merrja detyrën dhe kur m’u bë ftesa për t’ju bashkuar qeverisë Rama, jo vetëm që nuk pata asnjë hezitim, por mendoj se kam qenë thelbësisht i fokusuar në punën që po bëhej. Por një seri kolegësh të huaj menduan dhe ishin koordinuar që të kishte një kandidaturë nga Shqipëria dhe kjo kandidaturë të isha unë.
Jo vetëm për faktin se Shqipëria ka një perceptim shumë të mirë në raport me atë që ka bërë në fushën e diplomacisë vitet e fundit, por edhe sepse në vitin 2020 ne kryesuam denjësisht OSBE-në. Fakti që unë isha pjesë e atij mekanizmi, sekretariati për periudhën para se të bëhesha pjesë e qeverisë. Ka qenë shumë e vështirë që në radhë të parë të bindja veten, pasi i binte që unë të filloja që vetëm 6,7 muaj pasi isha kthyer, të mendoja të lija Shqipërinë. Por, kryeministri ishte i bindur që kjo ishte një mundësi e mirë për të gjithë ne, për vendin, rajonin…”, deklaroi ministri i Jashtëm.
E pavarësisht se mori 39 vota përballë “rivalëve” të tjerë, Hasani shpjegon arsyen pse tërhoq nga gara e rëndësishme.
“OSBE nuk e ka parimin e votës, por të konsensusit. Pra që vendimet të jenë të miratuara, duhet që të 57 vendet anëtare t’i pranojnë. Unë mora 39 preferenca, rivali turk kishte 9 preferenca dhe 9 vende ishin abstenim, për të shkuar në të dy drejtimet. Është një përpjekje shumë e mirë dhe ambicioze që diplomacia shqiptare ka bërë ndër vite për të pasur këtë nivel përfaqësimi që ne kemi. Duke nisur nga Kryesia e OSBE-së në 2020-ën, angazhimi në Këshillin e Sigurimit në periudhën 2022-2023, por edhe në shumë nisma që e kanë ngritur reputacionin e vendit.
Sepse kuptuam në radhë të parë që dy prej partnerëve tanë strategjikë dëshironin dhe këmbëngulnin që t’i merrnin ato pozicione. Turqia dhe Greqia. Kuptuam se me gjithë mbështetjen masive, kishte edhe ndonjë vend që priste momentin e duhur për të minuar të gjithë paketën mbështetëse dhe për ta shndërruar këtë proces kaq gjithëpërfshirës në një proces refraktar i cili do çonte në bllokimin e punës së organizatës dhe një shkatërrim të gjithë asaj pune”, sqaroi Hasani.
/tvklan.al