Ukraina vijon përparimin brenda rajonit të Kurskut, ndërsa Moska ka ngritur akuza ndaj Perëndimin si organizator të kësaj ofensive.
Aktualisht ushtria ukrainase ka zgjeruar në 82 numrin e vendbanimeve nën kontrollin e tyre në Kursk, nga 74 që ishte në fillim të kësaj jave. Territori nën kontrollin e tyre tashmë është 1150 kilometra katrorë nga 1 mijë që ishte para pak ditësh.
Burimet ushtarake perëndimore thanë të premten se forcat ruse janë duke dislokuar “forca të shumta” në Kursk pas “çorganizimit fillestar”. Ndërkohë po sipas këtyre burimeve, trupat ukrainase kanë depërtuar në rajonin kufitar rus në një thellësi që varion midis 10-25 km.
Ndërsa operacioni ukrainas hyn në javën e dytë, në Moskë presidenti Putin mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kremlini nuk dha hollësi për temat e diskutuara, por prej disa ditësh operacioni ukrainas në Kursk është shqetësim kryesor i Putinit. Pamjet e operacionit po zenë vend më të gjerë në transmetimet e televizonit shtetëror kur herë pas here ka patur kritika të ashpra për ushtrinë.
Për këtë sulm të ukrainasve në Kursk Moska akuzoi Perëndimin. Në një intervistë për të përditshmen Izvestia, Nikolai Patrushev, një prej këshilltarëve kryesorë të presidentit rus Vladimir Putin tha se NATO dhe Perëndimi janë planifikuesit e sulmit të ukrainasve në rajonin e Kurskut. Sipas Patrushevit, presidenti amerikan nuk tha të vërtetën kur u shpreh se nuk kishte dijeni për këtë sulm.
“Pa mbështetjen e NATO-s, Kievi nuk do i hynte kësaj aventure”, tha Patrushev, i cili paralajmëroi se së shpejti do të ketë një kundërpërgjigje të fortë. Shtëpia e Bardhë tha se Kievi nuk e njoftoi për operacionin dhe Uashingtoni nuk është i përfshirë.
Nga rajoni i Kurskut ku është shpallur gjendja e emergjencës vijojnë evakuimet dhe ndihmat për banorët. Këtu kamionë me ndihma humanitare që u nisën nga Moska për rajonin e prekur.
Sipas autoriteteve ruse po mblidhen ndihma për banorët e rajonit të Kurskut nga 40 vende.
Klan News