Vlera më e ulët e dekadës në tregjet ndërkombëtare
Çmimet e karburanteve kanë vazhduar rënien në tregun e brendshëm edhe gjatë kësaj jave. Vlera e një litri naftë është barazuar me atë të benzinës, ndërsa në harkun kohor të 10 ditëve ulja është mesatarisht me 5 lekë/litër.
Në fund të Marsit çmimi mesatar i një litri naftë ishte 164 lekë, ndërsa këtë javë pikat e karburantit të pakicës e shesin me 158 lekë.
Ulja ka ndodhur duke patur si shkak rënien e çmimit të gazrave dhe karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Një fuçi është shitur gjatë ditëve të fundit me çmimin e 20 dollarëve, duke shënuar vlerën më të ulët të një dekade.
Kërkesa globale për të konsumuar karburant është përgjysmuar që prej nisjes së marrjes së masave kundër përhapjes së Covid-19 dhe ndalimit të fluturimeve në shumë shtete.
Goditja e çmimit në bursa rrezikon ecurinë e eksporteve shqiptare të naftës bruto dhe pritet të ndikojë edhe në mbledhjen e të ardhurave nga taksat e karburantit në buxhetin e shtetit, për shkak se shitjet janë ulur me 70%.
Tv Klan