Tregjet ndërkombëtare të arit të zi u hapën me një rritje të lehtë këtë të hënë, por sërish çmimi i naftës së papërpunuar mbetet në nivelet më të ulëta të dy viteve të fundit. Më konkretisht nafta bruto në bursën e Teksasit për kontratat e Tetorit shitet me 68.8 dollarë, çmimi më i ulët ky që prej Dhjetorit të vitit 2021, para nisjes së luftës në Ukrainë.
Ndërkohë që javën e shkuar bursa u mbyll me një çmim edhe më të ulët, ku një fuçi naftë u shit në nivelin e 67 dollarëve. E njëjta situatë paraqitet edhe në bursën e Londrës ku nafta Brent shitet sot me afro 72 dollarë, ndërkohë që të premten e shkuar çmimi ra në nivelin e 70 dollarëve.
Edhe për këtë bursë ky është çmimi më i ulët në 2 vitet e fundit. Ekspertët e lidhin këtë situatë më së shumti me vendimin e kompanisë shtetërore të naftës së Arabisë Saudite e cila uli çmimin e arit të zi të papërpunuar për blerësit aziatikë, por edhe me rënien e kërkesës në konsumatorin më të madh në votë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çmimet e naftës së papërpunuar në tregjet botërore pritet që në javët në vijim të japin efekt direkt edhe në tregun e pakicës në vendin tonë.
Tv Klan