Pas disa jave rritje të vazhdueshme, çmimi i arrit të zi në tregjet ndërkombëtare ka shënuar një rënie të ndjeshme. Thuajse të gjitha bursat kryesore botërore të naftës u hapën këtë të martë me një thyerje negative të kurbës, teksa çmimet ranë me mbi 4 për qind.
Rënia më e madhe u shënua në bursën e Teksasit, ku një fuçi naftë e papërpunuar për kontratat e Nëntorit u shit me afro 70 Dollarë nga 76 që ishte vetëm 5 ditë më parë. Vetëm në 24 orët e fundit rënia në këtë bursë ishte afro 4.5 për qind.
Me afro 4.25 për qind ra çmimi i naftës brent edhe në bursën e Londrës, ku një fuçi po shitet me afro 74 Dollarë nga 79 që ishte pak ditë më parë. Ekspertët e lidhin këtë sjellje të bursave me parashikimin me ulje që OPEC bëri për kërkesën globale për naftë në 2024 dhe 2025.
Gjithashtu, një tjetër faktor që besohet se ka ndikuar në këtë rënie të madhe të çmimit të arit të zi është edhe zgjatja e vendimit të Tel Avivit për të goditur bazat e naftës në iran si hakmarrje për sulmet e këtij të fundit ndaj Izraelit.
Tv Klan