Një lajm i trishtë vjen nga politika. Ish-Presidenti Bujar Nishani ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare. Lajmi konfirmohet nga Klan News.
Ish-Presidenti Nishani ishte në gjendje kritike për jetën prej disa javësh dhe mbahej në jetë me aparatura. Ish-presidenti Nishani vuante nga pneumonia bilaterale, ndërsa pas prekjes nga Covid-19, shëndeti i tij u përkeqësua ndjeshëm.
Fillimisht u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe më pas me përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore u dërgua për mjekim më të specializuar në një spital në Berlin.
Burime nga spitali thonë se prej disa ditësh ai po mbahej në jetë me anë të aparaturave, por mesditën e kësaj të shtune, mjekët, me konsensusin e familjes, kanë marrë vendimin t’ia shkëpusin aparaturat.
Bujar Nishani ka mbajtur detyrën e Presidentit të Republikës në vitet 2012-2017, por më herët ka mbajtur detyrën e ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë. Ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë në radhët e Partisë Demokratike.
Nishani lindi më 29 Shtator 1966 në qytetin e Durrësit. Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.
Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.
Karriera politike e Bujar Nishanit ka kaluar nëpër këto etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.
Në Korrik të vitit 2005, zoti Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Nga Marsi 2007 – Shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga Shtatori 2009 – Prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në Prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në Qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.
Më 11 Qershor 2012 Kuvendi e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Në 24 Korrik 2012, Bujar Nishani u betua në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës. Gjatë mandatit të tij, Nishani ishte përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe sfidat globale që prekin Shqipërinë, siç është kriza e imigrantëve ose luftimi i ekstremizmit islamik dhe radikalizmit.
Bujar Nishani ishte i martuar me zonjën Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fiona Nishani.
Reagon Meta: Personalitet me vlera të rralla
Presidenti Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale pas lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta të Bujar Nishanit.
Meta thotë se Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion
“Me trishtim dhe hidhërim të thellë mora lajmin e largimit nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe! Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion. Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt. I paharruar kujtimi i President Nishanit! Të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Meta.
Berisha: Ish-Presidenti Nishani, ikonë e vlerave më të larta të njeriut! Ishte burrështetas i shquar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërndarë në rrjetet sociale një mesazh ngushëllimi pas lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani.
Mesazhi i plotë:
Dielli perëndoi përgjithmonë për ish-presidentin Bujar Nishani!
Të dashur miq, sot ish-presidenti Bujar Nishani mbylli sytë përgjithmonë duke zhytur kështu në dhimbje, zi e pikëllim të thellë familjen e tij të dashur, miqtë e të afërmit, Partinë Demokratike dhe mbarë Shqipërinë.
Ish-presidenti Bujar Nishani, ishte ikonë e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit. Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombetare duke i dhene nder dhe vlerë institucionit të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.
Ish-presidenti Bujar Nishani në këto 30 vite, si një shërbëtor i qytetarve dhe vendit të tij përmbushi me nder detyra të rëndësishme nga drejtues drejtorie në Ministrinë e Mbrojtjes, ministër i Rendit Publik dhe deri në President i Republikës.
Bujar Nishani ishte gjithashtu një drejtues i shkëlqyer dhe efiçent e i dashur i Partisë Demokratike, deputet, ministër, dhe kandidat i votuar për president të Republikës nga mazhoranca e kësaj partie.
Personalisht une kam patur tek Bujar Nishani njërin prej bashkpuntorëve më ta afërt, më të aftë, më të dashur dhe me çmuar, më të virtytshem që do mbetet gjithmonë në memorien time si mirënjohje e thellë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi patur si krenari e veçantë që pata një mik fisnik si ai.
Ndaj sot është ditë zie dhe dhimbjë të thellë për familjen e nderuar Nishani që humbën bashkëshortin dhe prindin e tyre të mrekullueshëm e shebullor, për miqtë dhe të afërmit e tij që humbën një mik të dashur që do ju mungojë gjithmonë, për Partinë Demokratike që humbi njërin prej drejtuesve më të talentuar, për shtetin dhe kombin shqiptar që humbën sot shërbetorin besnik dhe të përkushtuar, shtetarin e aftë e të ndershëm, patriot dhe fisnik.
Duke shprehur mirënjohjen time të pakufishme dhe nderimin time më të madh ish-presidentit Nishani për kontributin e çmuar për vendin, kombin dhe Partinë Demokratike, si dhe bashkëpunimin dhe miqesinë tonë të ngushtë që kemi patur ju shpreh sot ngushëllimet dhe solidartetin më të ndjerë bashkëshortes, fëmijëve, familjes dhe miqve të ish-presidentit dhe mikut tim të çmuar për këtë humbje të madhe dhe të pakompensueshme, i lutem Zotit qe shpirti i mirë i Bujar tyre të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin! sb
Vdekja e Bujar Nishanit, reagon Kryeministri Rama
Për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani reagoi edhe Kryeministri Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri shkruan: “U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes.”
Bujar Nishani u shua në moshën 56-vjeçare në Gjermani, ku ndodhej në gjendje kritike për jetën prej disa javësh dhe mbahej në jetë me aparatura./tvklan.al