Ish-Presidenti Bujar Nishani ka komentuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan situatën në Partinë Demokratike.

Ai është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse mundet që Kuvendi Kombëtar, i cili është paralajmëruar nga Berisha të mblidhet në Dhjetor, të mund të shkarkojë kryetarin aktual të selisë blu, Lulzim Basha.

Nishani tha se Kuvendi e ka këtë të drejtë dhe çdo vendim i tij hyn në fuqi që të nesërmen. Ish-Presidenti tha se Kuvendi e ka fuqinë për një vendim të tillë, madje “Kuvendi edhe shkrin partinë fare”.

Blendi Fevziu: E shkarkon dot Bashën një Kuvend i mbledhur?

Bujar Nishani: Varet se çfarë vendimesh do të marrë Kuvendi për ndryshimet në statut

Blendi Fevziu: E ka këtë të drejtë?

Bujar Nishani: Patjetër!

Blendi Fevziu: Të shkarkojë edhe kryetarin edhe pse ai është zgjedhur me parimin 1 anëtar, 1 votë?

Bujar Nishani: Në qoftë se ndryshon statutin dhe e parashikon… Shiko, Kuvendi mblidhet dhe miraton ndryshimet… që nga dita 2 e ndryshimit mbi statut vepron mbi bazën e atyre ndryshimeve të reja që ka bërë në Kuvendin Kombëtar. Nëse vendos që Kuvendi mund ta shkarkojë dhe mënyrën si e shkarkon, atëherë të nesërmen Kuvendi vepron me mënyrën si e ka vendosur nenin e ri në statut.

Blendi Fevziu: Pra që të nesërmen?

Bujar Nishani: Nëse vendoset në Kuvend, patjetër!

Blendi Fevziu: E ka fuqinë Kuvendi ta marrë këtë vendim?

Bujar Nishani: Kuvendi edhe shkrin partinë fare!

Blendi Fevziu: Po nëse Kuvendi kontestohet nga Kryesia e PD?

Bujar Nishani: Nuk ka fuqi. Asnjë institucion nuk ka fuqi mbi Kuvendin. Kuvendi është omnipotent mbi të gjitha institucionet e tjera.

Blendi Fevziu: Po nëse e çojnë në gjykatë?

Bujar Nishani: Është e drejta e gjithsekujt të shkojë në gjykatë. Kuvendi vendos çdo ndryshim.

Blendi Fevziu: Kuvendi derisa të zgjidhet çështja në gjykatë, kush e drejton partinë?

Bujar Nishani: Atë e vendos Kuvendi në statut.

Blendi Fevziu: Pra ata mund të çojnë në gjykatë vendimet e Kuvendit, por jo ta bllokojnë Kuvendin.

Bujar Nishani: Nuk e bllokon Kuvendin kurrkush.

Blendi Fevziu: Po nëse merret një masë pezullimi që Kuvendi të mos mblidhet?

Bujar Nishani: Kush ta pezullojë?

Blendi Fevziu: Gjykata!

Bujar Nishani: Nuk ka të drejtë gjykata të hyjë në jetën e brendshme politike të një partie./tvklan.al